Ka qenë një natë e mbarë peshkimi ajo e mbrëmshmja për Arif Karan në Izmir të Turqisë.

Në rrjetat e varkës së tij, afër brigjeve të zonës turistike të Çeshmes, ka rënë një peshk ton gjigant.

Sipas “Hurriyet”, peshku 3.5 metra i gjatë peshonte 523 kilogramë. Ditën e hënë ai u nxor në treg ku u shit me nga rreth 4 euro kilogrami.

Në tregun e distriktit Çeshme të Izmirit ishin të shumtë edhe vizitorët që mbërritën vetëm për ta parë. Një prej tyre, Turgut Kaygisiz, pasi shkrepi një foto me peshkun, tha se nuk po u besonte syve dhe se ishte hera e parë që shikonte një peshk kaq të madh.

Peshkatari Kara tha për agjencinë turke të lajmeve AA, se peshku kishte rënë në rrjetë në orët e para të mëngjesit.

Ai tha se gjuante peshk prej 30 vitesh, por nuk kishte kapur ndonjëherë peshk më të madh dhe se nuk kishte përjetuar emocion të tillë. “Patëm vështirësi të mëdha për ta hedhur peshkun në varkë.”

Sipas medias ky është peshku më i madh ton i kapur ndonjëherë në Detin Egje. /tvklan.al