Ka shkuar në 5 numri i viktimave nga sulmi terrorist i së mërkurës në Westminster të Londrës. Policia konfirmoi se të enjten në mbrëmje një 75 – vjeçar ndërroi jetë në spital, ku ndodhej në gjendje kritike. Ai është identifikuar si Leslie Rhodes, nga Streatham në jug të Londrës.

Ndërkohë policia identifikoi autorin e kësaj ngjarjeje, 52 – vjeçarin Khalid Masood, i lindur nën emrin Adrian Elms në Kent, i cili u qëllua për vdekje nga autoritetet. Ai nuk kishte qenë subjekt hetimi nga policia.

Jetët e humbura në këtë tragjedi janë 48 – vjeçari Keith Palmer, oficeri i policisë i cili u godit për vdekje me thikë nga Masood. Turisti amerikan Kurt Cochran, 54 – vjeç dhe mësuesja spanjolle Aysha Frade, të cilët humbën jetën si pasojë e përplasjes me makinë të mërkurën.

I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e këtij sulmi.

3 gra dhe 5 burra u arrestuan në Londër dhe Birmingham, nën dyshimin se po përgatisnin një akt terrorist.

Në lindje të Londrës u arrestua një grua 39 – vjeçare. Në Birmingham u arrestua një 21 – vjeçare dhe një 23 – vjeçar. Po në Birmingham u arrestua një 26 – vjeçare dhe 3 meshkuj të moshës 28, 27, 26, si dhe një 58 – vjeçar. Arrestimet u kryen në adresa të ndryshme në këto zona.

Policia thotë se hetuesit vijojnë kërkimet në disa adresa, përfshirë një në Carmarthenshire, 3 në Birmingham dhe një në lindje të Londrës. Kërkime po zhvillohen edhe në Brighton dhe në juglindje të Londrës.

Khalid Masood

Khalid Masood hyri me makinë në trotuar në urën Westminster, përpara se ta përplaste makinën e tij me kangjellat dhe më pas vrapoi drejt rrethimit të parlamentit britanik i armatosur me thikë.

Policia thotë se nuk kishte patur informacione të intelingjencës për qëllimet e Masood. Megjithatë ai kishte qenë emër i njohur për autoritetet për krime të ndryshme./tvklan.al