Shkarkimi i krerëve të policisë së qarkut të Elbasanit është përshëndetur nga kryeministri Rama, i cili shprehet se kush është i përfshirë me krimin e organizuar nuk mund të mbajnë uniformën blu të Policisë së Shtetit.

“Përshëndes shkarkimin e gjithë zinxhirit të komandës policore në Elbasan. Kush është përzier me çorbën e krimit, po edhe kush s’ka kurajo të përballet sy për sy e dhëmb për dhëmb me të, s’ka vend nën uniformën e dëshmorëve të Policisë së Shtetit”.

Por në një postim në rrjetet sociale ai sulmon të gjithë ata që kanë baltosur Policinë e Shtetit pas operacionit në Babicë të Vlorë ku kapen 4.5 ton kanabis duke i përkufizuar si fronti i çorbës seë vjetër.

“E turpshme përpjekja e Frontit të Çorbës së Vjetër për të baltosur Policinë e Shtetit për operacionin e suksesshëm mbrëmë në Vlorë, si pjesë e luftës ndaj rrjetit kriminal të heronjve të kazanit politik e mediatik të 48 orëve të fundit Policia e Shtetit po bën të gjithë gjërat e duhura dhe çdo drejtues e punonjës policie, duhet të vazhdojë të bëjë përditë këtë që po bën qysh prej nisjes së kësaj faze të re të luftës me krimin, pas pastrimit të Shqipërisë nga kanabisi”.

‪Postimin Rama e mbyll me premtimin se jo vetëm lufta kundër rrjeteve kriminale, por dhe kundër korrupsionit atë që askush s’ka guxuar as ta mendojë.

“Me mandatin e 25 qershorit, ne do t’i bëjmë jo vetëm rrjeteve kriminale, po edhe korrupsionit në tërësi, atë që asnjë nga këta që hidhen sot përpjetë në kazanin e politikës e të medias, s’ka guxuar as ta mendojë, në çerekshekulli rrumpallë e bashkëjetesë harmonike të pushtetit me llumin, ku ky vend mbeti pa shtet, pa ligj, pa drejtës. Këtu jemi dhe do të shohim. Ditë për ditë”. 

Tv Klan