rama-terrorizmie

Shkupi zyrtar i konsideron si justifikime për kundërshtimin e anëtarësimit në NATO, kërcënimet për bllokimin e këtij procesi. Një ditë pasi Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi publikisht se, Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa respektuar marrëveshjen e Ohrit dhe pa bërë transparencën për ngjarjet në Kumanovë, Ministria e Jashtme maqedonase, në një reagim të sajin deklaron se kërcënimet për bllokim s’janë gjë tjetër, veçse mënyrë për të fshehur kundërshtimin që Maqedonia të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Të gjitha kërcënimet për bllokim dhe deklaratat për të justifikuar në mënyrë false mungesën e mbështetjes dhe kundërshtimin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE nga jashtë, nuk janë në frymën e vlerave dhe shpirtin europian dhe as kontribuojnë në ndonjë mënyrë apo formë për paqen dhe stabilitetin në rajon si një i tërë”.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë saktëson se reagimi i saj vjen ndaj deklaratave të disa zyrtarëve të vendeve fqinje dhe të vendeve të tjera për zhvillimet në Maqedoni. Në deklaratë nënvizohet qëllimi strategjik i Shkupit për të qenë anëtarë me të drejta të plota në BE dhe NATO.

Përplasja e armatosur në Kumanovë më 9 Maj, mes policisë dhe anëtarëve të një grupi të quajtur UÇK, gjatë të cilës humbën jetën 22 persona, nxitën reagimet ndërkombëtare, për zbardhjen e ngjarjes në një lagje të banuar, kryesisht nga shqiptarë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në takimin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit tha se, përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme, siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe për qeverinë shqiptare, vonesa dhe ende më keq, mungesa e transparencës edhe e drejtësisë.

Por sa i takon bashkëjetesës ndëretnike, në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, shkruhet se ajo është në themel të shoqërisë maqedonase dhe rendit kushtetues, bashke me respektimin e dallimeve kulturore, etnike, fetare apo të të drejtave të njeriut.

Tv Klan