TIRANA

Rritja e taksës së ndërtimit për Tiranën, nga 4% në 8%, do të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të banesave për qytetarët, deri në 250 euro më shtrenjtë, për metër katror.

Ky paralajmërim është bërë nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila ka reaguar ndaj rritjes së papritur dhe të pakonsultuar më parë me grupet e interesit të taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Sipas njoftimit për shtyp të kësaj Shoqate, taksa e vënë me propozim të Bashkisë Tiranë, është një rrëmujë logjike, në aspektin ekonomik.

Sipas saj, ajo nuk bazohet më mbi vlerën e investimin, por mbi një çmim shitje reference, që caktohet çdo vit nga qeveria, kjo bie në kundërshtim me nenin 46 të Ligjit të Planifikimit të Territorit, i cili shpreh qartë se taksa bazohet mbi vlerën e investimit të objektit dhe jo mbi çmimn e shitjes.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se rritja e taksës së ndikimit në infrastruktur do jetë nxitëse për evasion e korrupsion. Ndërtuesit thonë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar rritjen e kësaj takse, që sipas tyre, nuk është gjë tjetër, veçse një gjobëvënie ndaj ndërtuesve.

Tv Klan