Agjencia e Prokurimit Publik ka shpallur kompaninë fituese të koncesionit për shërbimin e laboratorëve në spitalet shqiptare. Firma që do të marrë 100 milion dollarë për 10 vite nga buxheti i shtetit është një bashkim i tre sipërmarrjeve: Labopharma, Exalab France dhe  AB Laboratory Solutions Holandë.

Kjo kompani ka arritur të bindë komisionin e vlerësimit të ofertave për të fituar garën mes 8 shoqërive të tjera, pjesa më e madhe e të cilave janë s’kualifikuar për shkak të mungesës së dokumentacionit, njofton agjencia e prokurimeve. Konsorciumi fitues tashmë duhet që brenda 60 ditësh të negociojë kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë e më pas të nisë dhënien e shërbimit. Buxheti i shtetit ka parashikuar këtë vit 7 milion dollarë për këtë koncesion të formës partneritet publik – privat.

Në këtë bashkim të firmave, përqindjen më të madhe të aksioneve e ka ajo shqiptare, Labopharma, e cila rezulton në pronësi të Janis Karathano. Në bilancet e saj rezulton se në 2014-ën dhe 2015-ën kompania ka krijuar borxhe në vlerën e 570 mijë dollarëve. Vitin 2015-të Labopharma e ka mbyllur me 170 mijë dollarë humbje, ndërsa më parë kishte bërë kërkesë për të pezulluar aktivitetin. Kjo kontratë do t’i mundësojë kompanisë që të marrë administrimin e të gjithë laboratorëve shtetërorë, së bashku me stafin e tyre. Qytetarët nuk do të paguajnë tarifa, por do të jetë qeveria e cila do t’i japë koncesionarit fitimin e munguar.

Tv Klan