Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, është zgjedhur nga portali i famshëm Politico.eu, si një ndër 28 figurat që po formësojnë, shkundin dhe nxisin Evropën në vitin 2017. 

Ai nuk bën selfie me fëmijë dhe nuk është veshur ndonjëherë si Superman, megjithatë është përzgjedhur nga gazeta e njohur Politico, si një ndër 28 figurat që po formësojnë dhe shkundin politikën për vitin 2017 në Evropë.

Numri një i Prishtinës Shpend Ahmeti u zgjodh në krye të Komunës së Prishtinës pas një fushate shembull për rajonin. Paçka betejave të forta që i është dashur të përballet në karrigen e Kryetarit të Komunës, me një Këshill Komunal ku shumica është e përbërë nga dy partitë e mëdha LDK dhe PDK, ai ia ka dalë të nisë disa nga projektet për të cilat u votëbesua.

“Që nga zgjedhjet e vitit 2013, 38-vjeçari, i diplomuar në Harvard, ish-ekonomist në Bankën Botërore dhe profesor universitar i ka hyrë betejës për të sjellë për qytetarët shërbimet publike bazike për transportin publik, ujin e pijshëm, mbledhjen e mbeturinave, ngrohjes së pastër dhe të përballueshme për shkollat, spitalet dhe shtëpitë për kryeqytetin me 350 mijë banorë” shkruan portali Politico.eu.

Kryetari i Qytetit pa lum siç njihet ndryshe Prishtina, i tejkaloi pritshmëritë e kritikëve, të cilët menduan se ai si produkt i  Lëvizjes Vetëvendosje do të mbetej në kuadrin e një kontestuesi. 

38-vjeçari është pjesë e një klase të re politike në një Kosovë që po përgatitet të njihet në Bashkimin Evropian.

“Ai ka dërguar në gjykatë zyrtarë komunalë nën dyshimin për korrupsion. Megjithatë asnjë prej tyre nuk është ndjekur penalisht”, vijon më tej Politico./tvklan.al