Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur këtë të premte masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani, i dyshuar për shpërdorimi të detyrës, në legalizimin e objekteve informale, kryesisht lokale dhe ambiente të tjera tregtare.

Në një njoftim për mediat, organi i akuzës sqaron se Dodani u prangos mesditën e sotme.

Nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës rezulton se në të paktën 5 raste, kryesisht të vitit 2015, ish-drejtori i ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani, dyshohet se ka shkelur kuadrin ligjor që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale.

Në praktikat e legalizimeve, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimit, Prokuroria ka evidentuar se me firmën e Dodanit janë legalizuar objekte tregtare (bar-restorante) pranë rrugëve kryesore ose në zonën turistike të Shirokës, në të cilën nuk lejohet legalizimi.

Nga hetimi rezulton se Dodani ka nënshkruar praktikat për këto subjekte, ndërkohë që asnjë prej zyrtarëve të tjerë nuk ka nënshkruar dokumentët, sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe administrative.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, sqarohet në njoftim, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se Ardian Dodani, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Shkodër, ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”.

Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata dhe u ekzekutua nga ana e forcave të Policisë./tvklan.al