Vaksinat e para në botë kundër malarias do të shpërndahen në tre shtete, Gana, Kenia dhe Malavi, duke nisur që nga viti 2018.

Vaksina RTS,S trajnon sistemin imunitar të sulmojë parazitin e malaries, i cili shpërndahet nga mushkonjat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) tha se vaksinat kanë potencialin të shpëtojnë dhjetëra mijëra jetë njerëzish anekënd botës. Por, është ende e paqartë nëse do të jetë e përballueshme për t’u përdorur në pjesët e varfra të botës.

Vaksina duhet të merret katër herë – nga një herë në muaj tri herët e para dhe një dozë e katërt 18 muaj më vonë.

Kjo vaksinë ka prodhuar rezultate të mira në klinika, por nuk dihet nëse do të japë të njëjtat rezultate edhe në kushtet kur njerëzit nuk kanë akses të plotë në sistemin shëndetësor.

Kjo është edhe arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) po organizon një project pilot në tre shtete, Gana, Kenia dhe Mavi. Dr Matshidiso Moeti, drejtor rajonal për Afrikën në WHO, tha se “perspektiva e vaksinës së malaries është lajm i madh.”

Ai shtoi se “informacioni i mbledhur gjatë programit pilot do të na ndihmojë të marrim vendime për përdorimin më të gjerë të vaksinës.”

Programi pilot do të përfshijë më shumë se 750 000 fëmijë mes moshave 5 – 17-vjeçare. Rreth gjysma e tyre do të marrin vaksina për të analizuar suksesin.

Në këtë grup moshë, katër dozat e vaksinës kanë treguar se mund të parandalojnë 4 në 10 raste të malaries. Ky rezultat është shumë i mirë në krahasim me vaksinat e tjera të përdorura.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pothuajse gjysma e popullsisë së botës ka rrezik të preket nga malaria. Në 2015 u raportuan 212 milionë raste të prekurish nga sëmundja dhe 429 mijë vdekje.

Organizata thotë se rreth 90 % e të prekurve nga malaria dhe 92 % e vdekjeve nga kjo sëmundje vijnë nga Afrika sub-Sahariane. /tvklan.al