Katër persona u plagosën nga një shpërthim i ndodhur në një restorant, në kompleksin Fishta në Velipojë.

Shpërthimi u shkaktua nga rrjedhja e gazit të një depozite, rreth orës 10:30 të paradites.

Të plagosurit janë Besnik e Hektor Zejnuni, babë e bir, pronarë të restorantit, pushuesja nga Kosova Saida Spahija dhe një infermiere që u asfiksua teksa po përpiqej t’u jepte ndihmën e parë të dëmtuarve.

Dy pronarët janë në gjendje të rëndë dhe u dërguan në qendrën spitalore Universitare në Tiranë për mjekim të specializuar.

Të plagosurit e tjerë po trajtohen në Shkodër, ndërsa probleme me asfiksinë shfaqën edhe disa pushues.

Inspektoriati Qëndror Teknik njoftoi zyrtarisht se zjarri nisi nga bodrumi i restorantit, nga rrjedhja e gazit nga një çisternë 1 mijë litërshe.

Më pas flakët depërtuan në restorant, me shpejtësi.

Zjarrfikësve iu desh më shumë se 1 orë për ta vënë zjarrin nën kontroll. Policia ka nisur një hetim nga i cili pritet një rezultat përfundimtar mbi shkaqet e shpërthimit.

TV Klan