Nishani

Presidenti i Republikës vetëm pak minuta pas votimit me 84 vota PRO, ndryshimeve dhe shtesave të ligjit për Gjykatën e Lartë ka akuzuar rëndë maxhorancen politike në vend, se po punon në vijmësi për asgjesimin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Në një prononcim për TV Klan, Presidenti Nishani ,e konsideroi si akt thellësisht anti-kushtetues, votën pro në seancën e fundit parlamentare, për ngritjen e një Këshilli për Emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së lartë.

Ai u shpreh se edhe ky ndryshim në ligj, është një akt që vazhdon tendencën e asgjesimit “de fakto“ të Presidentit të Republikës dhe komptenecave të tij. Ai thotë se:“Komisioni Europian ka kërkuar që në asnjë ligj që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë të mos bëhet pa miratimin e Komisionit të Venecias, gjë që e ka pranuar edhe mazhoranca gjatë takimeve në Bruksel, por në fakt, ajo vijon të ndërhyjë në kopetencat kushtetuese të Presidentit në mënyrë të njëanshme”.

Presidenti Nishani në reagimin e tij për TV Klan , shprehet se mazhoranca politike dhe komisionet parlamentare nuk kanë denjuar as t’i ftojnë përfaqësuesit e Presidencës në mbledhjet gjatë fazës së diskutimit për këto shtesa dhe ndryshime, për të dhënë pikëpamjet e tyre.

Reagimi i Presidentit vjen menjëherë pas votimit në seancë plenare ku me 84 votat pro të deputetëve të mazhorancës dhe vetëm votën kundër të demokristianit Nard Ndoka, këto ndryshime dhe shtesa në ligjin për Gjykatën e Lartë u miratuan.

Neni që u kundërshtua shumë nga Presidenti i Republikës duke sjellë dhe reagimin e ashpër të tij të sotëm, është pikërisht ai 3.1, mbi ngritjen e Këshillit të Emërimeve për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Ky Këshill drejtohet nga kryetari i Gjykatës së lartë dhe përbëhet, nga Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, nënkryetari i KLD-së, nga kryetari i dhomës kombëtare të avokatisë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Ky Këshill, duhet të miratojë një listë me emrat e kandidatëve për anëtarë të gjykatës së lartë në momentin kur shpallet një vakancë, dhe këtë listë ia dorëzon Presidentit të Republikës, i cili duhet të zgjedhë pikërisht kandidatët nga kjo listë.

Deri më sot, anëtarët e Gjykatës së Lartë zgjidheshin nga Presidenti i Republikës me miratimin nga Kuvendi.

Por, që prej ardhjes në pushtet të mazhorancës së re poltike, asnjë prej kandidatëve të propozuar nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk është miratuar, duke e lënë me disa mungesa administratën gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

Presidenti i Republikës ka shpallur para pak kohësh sërish aplikimet për kandidatët si anëtarë të Gjykatës së lartë, ashtu siç edhe ligji aktual e parashikon.

Por votimi i ligjit të sotëm me ndryshimet e bëra ja heq këtë të drejtë Presidentit të Republikës, duke bërë që të mos jetë ai që do të përzgjedhë emrat e kandidatëve por ky këshill i ri sapo miratuar.

Duke parë reagimin e sotëm të Presidentit të Republikës, kuptohet që ai nuk do t’i dekretojë këto ndryshime, por nëse ai kalon sërish në Kuvend do të jetë sërish Gjykata Kushtetuese vendtakimi i përplasjes së radhës mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.

Tv Klan