Një shpërthim i fuqishëm shkaktoi dëme të konsiderueshme në një kompleks gjykatash në qendër të Athinës, orët e para të së premtes.

E përditshmja “Kathimerini” shkruan se shpërthimi ndodhi përpara se të zbardhte dita dhe se oficerët e policisë u njoftuan nga një gazetë dhe portal lajmesh.

Deri më tani asnjë grup nuk e ka pranuar autorësinë e këtij sulmi.

Ai erdhi disa orë pasi parlamenti aprovoi masat për të penalizuar demonstruesit që mblidhen rregullisht jashtë gjykatës, në përpjekje për të penguar ankande të përjavshme të shtëpive të sekuestruara nga bankat.

Orët e para të mëngjesit, policia vendosi perimetrin e sigurisë në gjykatë, në një zonë me siguri të lartë në qytet, në afërsi të zyrave qendrore të policisë greke, teksa oficerët po mblidhnin provat.

Zëdhënësi i policisë Theodoros Chronopoulos tha se një roje e sigurisë së gjykatës kishte parë dy persona, që dyshohet të jenë autorët, duke lënë një çantë jashtë hyrjes së gjykatës.

“Këto lloje sulmesh zakonisht kanë një domethënie simbolike”, tha ai për televizionin shtetëror, pa bërë komente të mëtejshme për motivet e mundshme të sulmit.

/tvklan.al