Këto janë dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i një sasie eksplozivi duke u gdhirë dita e martë në një lokal në lagjen nr. 15 në Porto Romano të Durrësit.

Eksplozivi shpërtheu në lokalin në pronësi të Fetah Matajt, një person i dënuar më parë për gjobëvënie.

Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar ndërsa dëmet janë të konsiderueshme. Persona ende të paidentifikuar aktivizuan me fitil zjarrpërcjellës një sasi të konsiderueshme eksplozivi në një nga dyert dhe fasadën e xhamtë të lokalit.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe menjëherë nisi hetimet për rastin. Nga veprimet e para ekspertët kanë vënë re se në vatrën e shpërthimit ishte hapur një gropë rreth 15 cm e thellë.

Ky fakt ka shtyrë hetuesit të mendojnë se autorët kanë aktivizuar një sasi prej rreth 200 gramësh eksploziv.

Sa i përket  hetimeve, blutë po hetojnë në disa pista. Një prej tyre është ajo e konflikteve të Matajt me persona të ndryshëm për shkak të problemeve që ai ka pasur më parë. Mataj është dënuar me 5 vite burg, në vitin 2012, nga Gjykata e Krimeve të Rënda për gjobëvëvenie ndaj një biznesi në Durrës. Po ashtu, ai është arrestuar edhe si i përfshirë në një çështje korrupsioni. /Tv Klan