Një shpërthim më eksploziv ndodhi mbrëmjen e kësaj të premteje në Fushë Krujë. Lënda shpërthyese ishte vendosur në derën e dyqanit të Naim Stafukës. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Momentalisht si shkaqet ashtu edhe autorët e kësaj ngjarjeje mbeten të panjohur.

“Rreth orës 22:05, në Fushë Krujë, në derën e dyqanit të shtetasit N.S, është vendosur një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi ka vetëm dëmtim të derës së dyqanit. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe vijon punën për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve”, tha policia në një njoftim për mediat.

Në foto Enver Stafuka

Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2015, kur u rrëmbye në qendër të Fushë Krujës nga 4 persona. Ngjarja në fjalë ndodhi në Shkurt të atij viti. Enver Stafuka ishte duke pirë kafe në një lokal përballë biznesit të familjes së tij, kur 4 persona të veshur me jelekë policie dhe të armatosur, iu afruan dhe nën kërcënimin e armëve e futën forcërisht në një automjet.

Në 2013-n Enver Stafuka ishte arrestuar pasi u dyshua si personi që kishte vjedhur automjetin me të cilin u krye atentati ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj. Megjithatë ai u la më pas i lirë. Prej vitesh fati i tij mbetet mister, ndërsa familjarët kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e Enver Stafukës./tvklan.al

(Video e vitit 2015 për zhdukjen misterioze të Enver Stafukës)