marinzëKatër zyrtarë të lartë të kompanisë kanadeze të karburanteve Bankers Petroleum janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e rrethit të Fierit.

Këta persona mësohet se kanë dhënë shpjegime për çka ndodhi një muaj më parë teksa gjatë kërkimeve për naftë në Patos Marinzë shpërtheu gazi duke sjellë dëme të shumta në shtëpitë e banorëve dhe ndotje të madhe mjedisore.

Seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur disa orë ku administratori shqiptar Leonidha Bocova dhe tre kanadezë i janë përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të çështjes. Organi i akuzës tha se nga marrja në pyetje e zyrtarëve të Bankers, Prokuroria ka mësuar versionin e tyre për shkaqet e shpërthimit.

Raporti i grupit të punës, ngritur nga Ministria e Energjisë pak ditë pas shpërthimit bëri përgjegjëse kompaninë Bankers për incidentin.

Hetimi dhe akuza për shkatërrim prone dhe ndotje mjedisi është në vazhdim ku priten raportet zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik, Inspektoriatit Mjedisor dhe Institutit Gjeologjik për të zbardhur rrethanat e ngjajrjes. Shpërthimi i fontanës së gazit në Marinzë në 1 prill dëmtoi mbi 120 shtëpi dhe shkaktoi ndotje të larte mjedisore e cila solli probleme shëndetësore për banorët.

Nga monitorimi i Institutit të Shëndetit Publik rezultoi se niveli i gazit metan ishte disa herë mbi normë, ndërsa një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit doli në përfundimin se ajri është ndotur në të gjithë parametrat e tij.

Tv Klan