Ekspertë të çështjeve të sigurisë në Kosovë konsiderojnë se jostabiliteti politik që ka përcjellw Kosovën gjatë muajve të fundit, po shndërrohet në një fazë të dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve.

Ata thonë se në Kosovë ka një potencial në rritje për përdorimin e forcës dhe dhunës.

Vetëm brenda një muaji, në Kosovë janë shënuar tri sulme me mjete shpërthyese, një mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, një ndaj Radio Televizionit të Kosovës dhe sulmi i fundit mbi shtëpinë e drejtorit të RTK-së Mentor Shala, në natën e së dielës.

Hetimet për të gjitha këto akte të dhunës, sipas Policisë së Kosovës janë ende duke u zhvilluar dhe nuk dihen as autorët dhe as motivet që shtynë t’i kryejnë.

Florian Qehaja, drejtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se dhuna e cila po përdoret nga persona ende të paidentifikuar, po tenton të shfrytëzohet për dobësimin apo rrënimin e shtetit të Kosovës nga qarqe të caktuara.

“Ka një potencial në rritje për përdorimin e forcës dhe dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve të caktuara në Kosovë. Jo stabiliteti politik që ka përcjellë Kosovën gjatë muajve të fundit tashmë po kalon në një fazë tjetër e ajo është faza e dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve”,

 thotë Qehaja.

Kosova, shton Qehaja është në pozicionin më të pafavorshëm në aspektin e sigurisë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, për faktin se siç thekson ai, në Kosovë ka një sfidim të rendit publik dhe Kushtetutës.

Në Kosovë, sipas Qehajës vazhdimësi ka pasur tendencë të mbahet situata e brishtë, pasi që se si e tillë i konvenon grupeve të caktuara, qoftë politike, qoftë grupeve të krimit të organizuar.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, janë shënuar edhe në të kaluarën. Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë shprehin nevojën e zbardhjes sa më të shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë ata, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës.

Naim Maloku, ekspert i fushës së sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mos zbardhja e rasteve apo edhe mungesa e zbulimit apo definimit të motiveve të sulmeve, është shqetësuese.

Mos zbardhja e këtyre sulmeve nga organet e sigurisë, shton Maloku, reflektojnë pasiguri tek qytetarët.

“Institucionet e Kosovës, në veçanti ato të sigurisë nuk duhet të heshtin duhet t’i zbardhin këto raste dhe të mos jenë faktorë në destabilizimin e mëtejmë të situatës dhe raporteve brendshme. Heshtja dhe mos zbardhja e rasteve janë faktorë të fuqishëm në destabilizimin e situatës”,

 thekson Maloku.

Në anën tjetër, Florian Qehaja, drejtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë sugjeron për një gatishmëri më të lartë për parandalimin e sulmeve të tilla nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Pra kërkohet një koordinim institucional në funksion të parandalimit të veprimeve të tilla, pasi që fjala është për një kërcenim të sigurisë nacionale që po na kanoset nga brenda mbase e orkestruara edhe nga jashtë”, 

thotë Qehaja./tvklan.al