Një prej të plagosurve nga shpërthimi në rafinerinë e Ballshit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 4 të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, ata po marrin mjekim në spitalin e Djegie – Plastikës në Tiranë.

Gjatë orëve të paradites të lënduarit u vizituan edhe nga Minisitri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Për gazetarët Ministri tha se gjendja e tyre është e qëndrueshme, ndonëse kanë marrë plagë të mëdha në trup. Ai tha se të lënduarit po marrin të gjithë mjekimin e nevojshëm dhe se spitali i ka të gjitha ato çfarë i duhen për të trajtuar raste të tilla. Beqaj shprehu ngushëllimet për punonjësin e rafinerisë që humbi jetën ditën e djeshme.

Si pasojë e shpërthimit të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së shkuar humbi jetën 40 – vjeçari Shkëlqim Muça, nga Ballshi, punonjës i rafinerisë, ndërsa 5 të tjerë u plagosën.

I lënduar ka mbetur edhe një zjarrëfikës. Ai është Gramoz Fejzo.

ballsh

Ngjarja ndodhi në repartin numër 3 të Uzinës së përpunimit të naftës, si pasojë e shpërthimit të një bombule hidrogjeni. 

Pas shpërthimit uzina u përfshi nga flakët. Situata u vu nën kontroll me mbërritjen e zjarrfikësve nga Ballshi, Fieri, Tirana dhe Vlora.

Në momentet e zjarrit, në uzinë ishin në turn 300 punonjës, të cilët u larguan me shpejtësi nga ambientet e punës.

Pas ngjarjes së rëndë në vendin e ngjarjes shkuan Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si dhe ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Në një prononcim për mediat, Gjiknuri tha se Inspektorati Shtetëror Teknik, Policia e Shtetit, të gjitha po kryejnë hetimet për të gjetur shkakun e kësaj ngjarjeje.

Ministri tha se nga informacionet që kishte marrë, kemi të bëjmë me shpërthimin e një bombole tek reparti i hidrogjenit.

Ndërkohë Prokuroria ka nisur hetimet për “Shkelje të rregullave në punë”./tvklan.al