Idrizi

Me 73 vota pro dhe 1 abstenim, kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi është zgjedhur zv/kryetari i tretë i parlamentit pas propozimit të grupit parlamentar të partisë së tij.

Zgjedhja e Idrizit ka sjellë reagimin e zv/kryetarit tjetër të Kuvendit, Vangjel Dule i cili ka dorëzuar menjëherë dorëheqjen.

Kryetari i Partisë Bashkimi të Drejtave të Njeriut shkruan në letren drejtuar kryetarit të kuvendit Ilir Meta se shkak për këtë bëhet shndërimi i institucioneve në “plaçkë” këmbimi në tregun e aleancave fluide, fenomen që sipas tij bie ndesh me parimet, botëkuptimin dhe ndërgjegjen e tij politike.

Emërimi i Shpëtim Idrizit si nënkryetar i parlamentit ishte një nga pikat e marrëveshjes së forcës politike që ai drejton me koalicionin qeverisës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Largimi i Vangjel Dules nga posti i nënkryetarit të Kuvendit vjen pas vendimit që partia e tij të dalë e vetme në zgjedhjet vendore.

Pakënaqësitë e kreut të PBDNJ-së nisën që me miratimin e reformës administrative dhe territoriale.

Tv Klan