Rreth 6500 emigrantë u shpëtuan nga roja bregdetare italiane, në një prej operacioneve më të mëdhenj të shpëtimit në ujërat e Mesdheut. Mbi 40 misione shpëtimi u ndërmorën 20 km nga brigjet libiane.

Pamjet tregojnë emigrantë nga Eritrea dhe Somalia, që përpiqen të notojnë në varkat e ekipeve të emergjencave. Mes tyre ka edhe shumë fëmijë.

Operacioni italian në brigjet libiane u koordinua me Agjencinë Europiane të ruajtjes së kufijve, “Frontex”, si edhe me “Mjekët pa Kufij”.

Të dielën, më shumë se 1100 emigrantë të tjerë u shpëtuan pranë ujërave libiane.

E ashtuquajtura rruga e Mesdheut lindor, është një segment tejet i frekuentuar nga trafikantët e emigrantëve. Më shumë se 100 mijë persona të nisur nga Afrika veriore kanë mbërritur në Itali vetëm këtë vit. Ndërsa rreth 2700 të tjerë janë mbytur, njofton Organizata Ndërkombëtare e Emigrimit.

Tv Klan