Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë 6 personave, të cilët të mërkurën rrezikuan të mbyteshin mbi një mjet lundrues në Sarandë.

Në një njoftim të sajin, policia thotë se rreth orës 19:00 është marrë informacioni se një mjet lundrues tip motoskaf, po rrezikohej të mbytej në vëndin e quajtur “Kepi i Mërtesës” Ksamil.

2 patrulla të policisë së Sarandës janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, ku është konstatuar motoskafi me emrin “Bayener Boa”, me flamur Anglez, në pronësi të B.S., që kishte pësuar defekt në motorë.

Në bordin e motoskafit ndodheshin 6 persona, pushues nga mosha 26 deri në 32 vjeç, të cilët u shpëtuan dhe u nxorën në breg të Ksamilit.

Të gjithë personat ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, pa probleme për shëndetin e tyre.

Nga hetimet proceduriale të policisë ka rezultuar se mjeti lundrues kishte dalë në det konform rregullave ligjore.

Policia Kufitare thekson se është në dispozicion të qytetarëve, pushuesve dhe të çdo problematike tjetër në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Vendore./tvklan.al