Editorial – The New York Times

Me qeverinë greke që do të mbesë duarthatë pa para kesh nga fundi i Korrikut, kreditorët kryesorë të vendit në Evropë vazhdojnë të kërkojnë shkurtime të ashpra buxhetore për kredi vendimtare. Por, pas një dekade dështimesh për të shpëtuar Greqinë, Gjermania dhe vendet e tjera Evropiane, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duhej të provonin një qasje të ndryshme, të tillë që ta kthejë rigjallërimin e ekonomisë në prioritet.

Kreditorët e Greqisë duken të gatshëm të sigurojnë kredi të reja për të paguar këstet e radhës të borxheve më vonë këtë vit, për sa kohë vendi angazhohet të arrijë suficitin fiskal prej 3.5 % të Prodhimit të Brendshëm, para pagesës së interesave në vitin 2018. FMN-ja, më arsyeshëm, ka kërkuar një suficit prej 1.5 %. Ajo po ashtu thotë se zyrtarët evropianë duhet të angazhohen të reduktojnë borxhin e qeverisë greke, i cili është kaq i madh saqë barazohet me 180 % të prodhimit vjetor ekonomik të vendit. Ky lehtësim borxhi mund të vijë në forma të ndryshme, përfshirë dhënien e më shumë kohe për t’i paguar apo duke reduktuar sasinë e borxhit.

Fondi Monetar ka të drejtë. T’i kërkosh Greqisë të arrijë suficit të madh tregtar në një kohë që ekonomia e saj po rritet me vetëm 0.4 % në vit është mizore dhe kundërproduktive. Bazuar në trendet e fundit, FMN-ja parashikon që borxhi i Greqisë do të rritet në më shumë se 250 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto përgjatë dekadave të ardhshme. Zyrtarët Evropianë janë shumë më optimistë, por shpresa e tyre është e bazuar në supozimin e dyshimtë që Greqia do të arrijë suficite të mëdha buxhetore në dekadat e ardhshme. 

Zyrtarët Evropianë, të FMN-së dhe të Greqisë duhej të vinin me mënyra për ringjalljen e ekonomisë greke, të ulin papunësisë – 23 për qind në Nëntor – dhe që forcojnë sistemin financiar; huamarrësit e pothuajse gjysmës së kredive nuk po kryejnë pagesat. Greqia dhe vendet e tjera Evropiane mund të investojnë në përmirësimin e shërbimeve të shkatërruara publike dhe në infrastrukturore. Autobusët në Athinë lëvizin me goma shumë të konsumuara, duke rrezikuar edhe sigurinë publike, ngase nuk ka mjaftueshëm para për pjesë ndërrimi. Spitalet nuk mund të punësojnë mjekë apo të blejnë ilaçe dhe shiringa.

Greqia mund t’i paguajë këto kosto nëse kreditorët pranojnë suficit më të vogël. Bashkimi Evropian mund të ofrojë grante dhe kredi për projekte që përmirësojnë ekonominë. Qeveria mund të mbledhë para duke u siguruar se agjencia e mbledhjes së taksave nuk është subjekt i presionit politik. Kryeministri Alexis Tsipras dhe liderët e mëparshëm janë zotuar t’a bëjnë këtë, por ekspertët thonë se agjencia ende është subjekt i ndërhyrjeve. Të bësh të mundur që më shumë njerëz, veçanërisht klasa e mesme, të paguajë taksa – më shumë se gjysma e  familjeve nuk paguajnë aktualisht – do të ndihmonte mbledhjen e parave pa e dëmtuar ekonominë. Dhe vendi ka nevojë për një sistem më eficent të ristrukturimit të hipotekave dhe borxheve të biznesit për t’u bërë ballë borxheve të këqija dhe t’u mundësohet bankave të japin kredi përsëri.

Vetëm me stabilizimin e rimëkëmbjes ekonomike qeveria do të kishte para për të paguar borxhet. Pas shtrydhjes së Greqisë, zyrtarët evropianë duhej të pranonin se analiza e tyre ishte e metë. Sa më shumë që të këmbëngulin në forcimin e Greqisë për të shkurtuar shpenzimet dhe rritur taksat, aq më shumë largohen nga rigjallërimi i këtij vendi në mënyrë që të mos ketë më nevojë për mbështetjen e tyre financiare.

Përktheu tvklan.al