Shqipëria vazhdon kërkimin për të gjetur naftë në kuadratet 2 dhe 3 të zonës së Shpiragut në afërsi të Beratit. Pas zbulimit që bëri në vitin 2013-ë të një zone të madhe naftëmbjatëse, kompania SHELL nisi shpimin edhe për pusin më të thellë, atë të Shpiragut 4.

Fillimin e operacioneve të kërkimit e njoftoi Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e cila thotë se për të arritur deri te shpimi i pusit të katërt është bërë një volum punimesh sizmike dhe studimesh gjeologjike të cilat kanë rritur shpresat për gjetjen e naftës në këtë zonë.

Mësohet se pas zbulimit të zonës naftëmbajtëse në pusin Shpiragu 2, Shell ka nisur shpimin sipas një programi vlerësimi edhe në disa puse të tjera në këtë bllok për të rivlerësuar kapacitetin naftëmbajtës të zonës. Në 2013-ën, gjetjet zbuluan se nga ky pus mund të nxirrej 800 deri 1300 fuçi naftë në ditë dhe 50 mijë metër kub gaz.

Deri tani vlera e investimeve të kompanisë SHELL për zbulimin e naftës ka arritur në 270 milionë dollarë, ndërsa deri në fund të operacioneve të saj shuma parashikohet të arrijë në 400 milionë.

Kompania SHELL ka ndërprerë programin e zbulimeve në shumë vende të botës për shkak të rënies së çmimit të naftës, ndërsa në blloqet e Shpiragut vazhdon kërkimin.

Tv Klan