Shefja për politikat e jashtme në Bashkimin Europian, Federika Mogerini, i ka bërë apel opozitës në vendin tonë që t’i japë fund bojkotit parlamentar dhe të bëhet sërish pjesë e procesit legjislativ. 

Apeli i Mogerinit vjen në një moment ku tensioni është në rritje në Shqipëri në prag të mbërritjes së një delegacioni të nivelit të lartë të Bashkimit Europian në Tiranë. Delegacioni do të përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës që ka kapur vendin.

Pretendohet se deputetët e opozitës po bojkotojnë parlamentin për të bllokuar reformën në drejtësi, e cila është kusht për nisjen e negociatave me Brukselin për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

 Opozita po refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit deri në momentin që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen në mënyrë që të krijohet një qeveri teknika e cila do ta drejtonte vendin në zgjedhjet e qershorit. Opozita këmbëngul se qeveria aktuale do të manipulojë procesin e votimit, si dhe dëshiron të ndryshojë datën e zgjedhjeve.

Por, Mogerini është ndër ata që ka shprehur shqetësim për bojkotin duke e përshkruar refuzimin e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje si të qortueshme.

Mogerini u shpreh se debati politik duhet të zhvillohet në parlament dhe i ka kërkuar opozitës shqiptare që të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe të përgatisë rrugën për zgjedhje demokratike në linjë me standardet ndërkombëtare. 

Ndërhyrja e saj vjen në një moment që tensioni në vend po përshkallëzohet.

Opozita shqiptare deklaroi se do të bllokojë të hënën të gjitha rrugët e vendit duke këmbëngulur në krijimin e një qeverie teknike. Lideri i partisë demokratike Lulzim Basha i ka kërkuar mbështetësve të tij të bllokojnë rrugët kombëtare në mesditën e 24 prillit, ditë ku negociatorët e parlamentit europian do të jenë në Tiranë për të ndërmjetësuar mes koalicionit të majtë qeverisës dhe opozitës së qendrës së djathtë.

Ka shqetësime se delegacioni parlamentar do të përballet me skena dhune në rrugët e Tiranës. 

Shqetësime që bazohen në deklaratat e fundit të Bashës: “Dëshironi luftë? Luftë do të keni! Shponi gomat e automjeteve të tyre, thyeni dritare, nxirrini nga zyrat, të gjithë ata që shkelin të drejtat e tyre. Zemërimi po vjen dhe kur populli të ngrihet ju nuk do të gjeni asnjë vrimë miu për t’u fshehur. Reagoni!” 

Kërcënimet për episode dhune kanë hedhur hije në zgjedhjet e muajit qershor njësoj si ndodhi në qershor të 2013-ës ku një aktivist mbeti i vrarë. Në janar të 2011-ës tre njerëz mbetën të vrarë në Tiranë gjatë trazirave si pasojë e përplasjes së forcave të policisë me protestuesit.

Delegacioni i Parlamentit Europian të hënën do të përpiqet të zbusë tensionet dhe do të drejtohet nga deputeti i qendrës së djathtë David McAllister, kryetar i Komitetit për Çështje të Jashtme në Parlamentin Europian. Ai do të shoqërohet nga raportuesi i parlamentit për Shqipërinë, socialisti gjerman Knut Fleckeshtein.

Edhe deputeti sllovak Eduard Kukan do të ishte pjesë e këtij delegacioni por ka anuluar praninë e tij.

Zëdhënësi i tij u shpreh se ai nuk do të jetë në Tiranë të hënën për shkak të angazhimeve të shumta. Por, do ta ndjekë situatën nga afër dhe do përpiqet të luajë rolin e tij, në një moment që dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të dërgojë përfaqësuesin e saj edhe pse zëdhënësi i McAllister u shpreh se nuk do të ketë deklarata deri pas takimeve të delegacionit në Tiranë, burime nga parlamenti thanë se është e qartë se Europa po përpiqet që të evitojë mos pjesëmarrjen e partisë demokratike në zgjedhjet e qershorit.

Apeli i Mogerinit u mbështet nga deputeti europian, kroati Ivan Jakovčić, i cili i ka kërkuar opozitës shqiptare të marrë pjese në zgjedhje. Anëtari i Grupimit  të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve në Europë u shpreh se vetëm zgjedhjet janë mënyra për të vendosur sistemin demokratik dhe një shoqëri paqësore./ABC News