Mëngjesin e sotëm, agjentët e sigurisë që kanë shoqëruar ekipin izraelit i kanë instruktuar futbollistët, stafin dhe të gjithë delegacionin që e shoqëron me masat e sigurisë që janë marrë, si duhet të veprojnë për zbatimin e tyre, çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë.

Futbollistë e kanë kaluar paraditen e së premtes nga njëra dhomë në tjetrën.

Në një koordinim të ngushtë të me Policinë Shqiptare, agjentët izraelitë të sigurisë kanë kërkuar edhe pastrimin nga mjetet e parkuara të segmenteve rrugore, që do të përshkojnë deri në Elbasan, ku do të zhvillojnë stërvitjen e parë.

Në këtë qytet, aplikimi i masave të sigurisë ka nisur prej disa ditësh. Mendohet se do të angazhohen gjithsej 2000 forca policie për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi.

Kontrollet dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do kryhen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit. Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga FNSH.

Tifozët duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes. Gjatë hyrjes në stadium ata do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm.

Nuk do t’u lejohet të mbajnë me vete monedha, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj madje as shishe uji dhe çadra. Të gjitha parkimet përreth stadiumit, si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen, ndërsa do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të ndeshjes.

Aksi Elbasan – Tiranë nga tuneli do të përdoret vetëm nga Kombëtarja izraelite ndërsa tifozët do të duhet të kalojnë nga Durrësi.

Masat e plota të marra nga policia:

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka marrë një sërë masash të rrepta për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri –Izrael që do të zhvillohet ditën e shtunë në Elbasan Arena.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, do të angazhohen rreth 2.000 forca policore dhe konkretisht:

Reparti Special RENEA, F.N.SH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe .

Masat kanë filluar të zbatohen që prej mbrëmjes së djeshme me mbërritjen e Ekipit të Futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem nga Rinasi në Hotel “Plaza”.

Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës kanë marrë masa sigurie në hotelin ku është akomoduar skuadra, deri në largimin e saj nga Shqipëria.

Gjithashtu nga Policia e Shtetit janë marrë masa për shoqërimin e ekipit të Izraelit për në stadiumin “Elbasan Arena” dhe anasjelltas gjatë datës 11 dhe 12 Nëntor.

Policia e Elbasanit ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në qytet.

Kontrollet si dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga F.N.SH. 

Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të F.N.SH-së.

Tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit gjatë check in-it të biletës.

Tifozët gjatë hyrjes në stadium do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm. Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra,  por vetëm  mbulesa prej plastmasi në rast shiu.

Nuk do  lejohen të futen në stadium banderola me parrulla raciste dhe politike. Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen . Si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.

Më datat 11 dhe  12 Nëntor do të këtë kufizime  të shpeshta të  lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit. Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve  të realizohet nga Durrësi.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozërisë për të zbatuar  udhëzimet e dhëna nga policia./tvklan.al