Sonte në mbrëmje i ftuar në emisionin “Opinion”, në orën 22:15 do të jetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Intervista e një prej njerëzve me të rendësishëm të politikës kosovare, i cili sot mban postin e Presidentit do të jetë e drejtpërdrejtë. Ajo vjen në një moment shumë domethënës të marrëdhënieve të Kosovës në raport më zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe njohjeve në arenën ndërkombëtare.

Por kjo është edhe një intervistë me rëndësi e Presidentit të Kosovës, pas vizitës që zhvilloi në Beograd Kryeministri Edi Rama dhe takimit që ai pati me homologun e tij Aleksandër Vuçiç.

Sjellim këtu në vëmendje edhe deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, se Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën në Beograd. Por mbi të gjitha kjo është një intervistë e cila do të trajtojë edhe diskursin e debateve në të cilat janë përfshirë Kosova dhe Shqipëria.

Analistët e njohur të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë ditëve të fundit kanë trajtuar me tone të forta këtë realitet të krijuar mes Kosovës dhe Shqipërisë. A ka dy kombe, një kosovar dhe ai shqiptar apo kemi të bëjmë me keqinterpretime të qëllimshme apo sikurse pretendojnë disa thjeshtë keqinterpretime gjuhësore.

Optika dhe qëndrimet e Presidentit Thaçi, një njohës shumë i mirë mbi temat e mprehta që prekin ecurinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe raportin mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të një rëndësie të madhe. Sonte Live në “Opinion”, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi./opinion.al