Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti në një takim Slavko Stojanoviç, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të Malit të Zi së bashku me delegacionin e tij. Ky takim vjen pas finalizimit me sukses të operacionit të përbashkët policor “Lux/Rover”, i vlerësuar si operacioni më i mirë në Europën Juglindore për vitin 2016, nga qendra SELEC.  

Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se Stojanovic vlerësoi bashkëpunimin mes dy policive dhe theksoi se kjo ky duhet të jetë një shembull për të gjitha operacionet në të ardhmen.

“Ka qenë një aksion policor i përbashkët në pikat e kalimit çka tregoi si duhet të veprojmë dhe si duhet të bashkëpunojmë, si duhet të kemi besim të ndërsjelltë. Mund të them se ky mund të jetë si një shembull për të gjitha operacionet e planifikuara në të ardhmen nga Policitë tona. Ata së bashku më përfaqësuesit tanë dhe përmes cilësive të njëjta, kanë bërë që ky aksion të ketë rezultate konkrete dhe besoj se ka patur jehonë pozitive në Shqipëri si dhe më tej.”

Ndërsa nga ana e tij, Drejtori i Policisë shqiptare Çako tha se: 

“Eshtë një punë e përbashkët, është një falenderim reciprok kuptohet, sepse rezultati i këtij bashkëpunimi ishte arrestimi i personave shqiptarë dhe malazezë, por edhe bllokimi dhe sekuestrimi i shumë makinave lukzose të falsifikuar dhe trafikuara. Ky operacion i vlerësuar dhe i koordinuar sigurisht shumë mirë nëpërmjet SELEC-ut, ka mundësuar dhe operacione të tjera, të Policisë Shqiptare me vende të tjera të rajonit. Këto janë operacione që vijnë në të njëtën fymë bashkëpunimi dhe orientimi me direktivat e Europolit dhe të gjithë organizmave të BE-së.”

Gjatë takimit, Çako dhe Stojanoviç e konsideruan të domosdoshme rritjen e kapaciteteve për të bashkëpunuar në aspektin e shkëmbimit të informacionit dhe të përpunimit për çështjet e radikalizmit fetar dhe antiterrorizmit, si një rrezik shumë i madh jo vetëm për ne, por për gjithë Europën pasi një pjesë e lëvizjeve të migracionit të paligjshëm nga zonat e luftës, mbartin brenda tyre indvidë të cilët kanë tendenca terroriste dhe radikale duke qenë një rrezik shumë i madh për sigurinë e vendeve tona dhe të gjithë Europës./tvklan.al