serbia-bus-tirana-albania_3360735

Incidenti me autobusin e futbollistëve serbë në Tiranë, deklarata e kryeministrit Aleksandar Vucic se nuk do të i pranishëm në “Elbasan Arena” dhe arrestimi i Ismail Morinës dominojnë mediat serbe.

Faqja online e gazetës “Blic” shkruan për praninë në stadiumin e Elbasanit të tifozëve të Partizanit të Beogradit, që njihen me emrin “varrmihësit”. Pas vendimit të përbashkët të palëve, ndeshja Shqipëri – Serbi do të zhvillohej pa praninë e tifozëve serbë. Në Elbasan Arena do ta ndjekin ndeshjen vetëm 50 studentë serbë, pedagogë dhe Ministri i Arsimit i Serbisë.

E kush tha se ata nuk kanë mbështetje? –  shkruan Blic për lojëtarët serbë, duke iu referuar fotos së publikur në rrjetet sociale, sipas të cilës, tifozët serbë ndodhen në Elbasan me banderolën identifikuese të grupimit ultras, të njohur për incidente dhune në stadiume të ndryshme në Europë.

Ndërsa gazeta “Kurir” sa i përket arrestimit të Ismail Morinës shkruan se “qëllimi i tij ishte t’i bente atentat kryeministrit serb, Aleksandër Vucic”, duke cituar shërbimet sekrete serbe.

Edhe mediat e huaja, kryesisht ato sportive, kanë pasqyruar takimin e sotëm, duke sjellë në vëmendje  dhunën në ndeshjen e parë në Beograd, por edhe incidentin e goditjes së autobusit ditën e djeshme.

BBC është ndalur te arrestimi i Ismail Morinës. Daily Mail gjithashtu sjell në vëmendje ngjarjen e autobusit të goditur me gur, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka përgatitur edhe një ankesë zyrtare.

E përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” shkruan se Tirana dhe veçanërisht hoteli ku po qëndron përfaqësuesja serbe, janë blinduar. Gazzeta raporton edhe incidentin e goditjes së autobusit, duke sqaruar se ishte një episod i veçuar, pasi gjendja duket e qetë.

Tv Klan