Kur në Beograd po zhvillohet një debat i nxitur nga presidenti Aleksander Vuçiç lidhur me Kosovën, Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për gazetën serbe “Blic” thote se e respekton iniciativën e tij për inicimin e një dialogu të brendshëm në mënyrë direkte dhe jokonvencionale për t’u ballafaquar me të kaluarën. Duke mirekuptuar pozicionin e ish homologut të tij, Kryeministri Rama thotë se është ndjerë i prekur nga deklaratat e Vuçiç ndërsa zgjidhjen e sheh tek njohja e plotë e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Thjesht: njohje e plotë e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë! Kur e vendos vehten në këpucët e Aleksandrit, jam i vetëdijshëm se është shumë më e lehtë t’a thuash se sa t’a bësh një gjë të tillë. Për këtë, tani për tani mund të themi se është me rëndësi që të punojmë me këmbëngulje, të gjithë së bashku, deri në gjetjen e zgjidhjes. Me durim, në mënyrë direkte dhe, pse jo, jokonvencionale. Të gjithë duhet të mbajmë në mendje faktin se gjetja e një zgjidhje për këtë çështje është në interes të të gjithëve, jo vetëm të shqiptarëve. Sa më parë aq më mirë”.

​Rama komenton dhe propozimin e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç mbi mundësinë që çështja e Kosovës të zgjidhet nëpërmjet shkëmbimit të territoreve.

“Nuk na ndihmon që të fillojmë prej kësaj, megjithëse mund të them se bëhet fjalë për një propozim të pazakontë. Megjithatë, është e qartë se, nëse nisemi nga ecuri të tilla teorike, këto mund të jenë gjithçka por jo praktike, dhe për më shumë, mund të zhvlerësojnë të gjithë synimet më të mira. Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është pikërisht ajo që Presidenti juaj ka inicuar si dialog të brendshëm, çka mund të ishte me vlerë të ndodhte edhe në Kosovë dhe gjithashtu edhe në Shqipëri”.

​Reagimin që ngjalli në Serbi deklarata e Ramës, sipas të cilës nuk e përjashtonte mundësinë e bashkimit të shqiptarëve në Shqipëri me Kosovën në rast të ndalimit të integrimeve europiane, vetë Kryeministri e cilëson si qesharake.

“Jam i njohur me këto reagime dhe kjo më duket akoma edhe tani qesharake. Ajo që kam thënë është një konkluzion trivjal, dhe jo plan, as kërcënim madje edhe as dëshirë. Natyrisht, nëse supozojmë se horizonti i integrimeve europiane mund të mbyllej për rajonin tonë, nuk do shumë shkencë të parashikiosh që shpirtërat e së kaluarës do të ringjallen. E qartë?”

​Rama nuk i njeh vetëm Vuçiçit meritat për përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri – Serbi në 4 vitet e fundit, ai thotë se thjeshtë ata të dy ishin njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

​Gazetari i “Blic” e pyet Kryeministrin Rama dhe për pamjen e tij dhe reagimet që sjell paraqitja e tij sportive në takime të nivelit të lartë, nëse është thjeshtë një zgjedhje apo ka një stilist që kujdeset për veshjet e tij.

“Po më bëni të qesh me të madhe. Le të themi se jam stilist i vetes”.

Tv Klan