Christian Panucci e ka futur skuadrën në frymën e Europianit të ardhshëm. Ashtu sikurse e kishte treguar edhe më parë, ambicia e tij është që të ndërtojë një skuadër konkurrente si e barabartë me rivalët. Në këtë mënyrë Panucci po kërkon ta çojë kombëtaren shqiptare një hap përpara.

Ndaj Turqisë, trajneri do të hedhë skuadrën në sulm për të tentuar se sa funksionin kjo mënyrë loje. 4-3-3 është moduli që italiani do të përdorë nga minuta e parë sonte në mbrëmje. Etrit Berisha në portë. Përpara tij në mbrojtje do të jetë Hysaj, Veseli dhe Mavraj në qendër dhe Lenjani ose Aliji. Ky i fundit duke qenë se nuk ka ekip, është në dyshim për formën e tij fizike.

Por me shumë mundësi mund të aktivizohet si rezervë. Në mesfushë do të jenë Xhaka dhe Memushaj si dhe mendohet si risi, Sabien Lilaj që nga minuta e parë. Sulmi i është besuar Sadikut në qendër dhe Roshit e Grezdës nga krahët.

Përballja e 10 me Turqinë që do të nisë në 18:30 vjen pikërisht në stadiumin e Antalyas aty ku në miqësoren e Janarit të 1998 kuqezinjtë fituan 4-1. Kësaj herë turqit me disa lojtarë të rinj do të kërkojnë ta përmbysin trendin pozitiv të Shqipërisë në miqësore, duke tentuar të bëjnë lojë të mirë dhe të marrin rezultat.

Tv Klan