Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri priti ministrin e Brendshëm të Francës Bruno Le Roux. Pas bisedës në zyrën e ministrit, dy homologët dhanë një deklaratë për shtyp, ku u ndalën tek domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikut të drogës, emigrimit të paligjshëm, terrorizmit dhe hajdutëve të banesave.  

Ministri Tahiri:

Ramë dakord për disa pika. Më e rëndësishmja sipas meje, ngritja e grupeve të përbashkëta me oficerë shqiptarë dhe oficerë francezë, të cilët do bëjnë hetime të përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, parave e aseteve kriminale.

Ndërkohë, ramë dakord për të shkëmbyer në mënyrë më intensive informacion, nga i cili do përfitojmë jo vetëm ne, por akoma më gjerë, edhe në kuadër të bashkëpunimit me INTERPOL dhe EUROPOL. Për të pasur më shumë siguri qoftë në Francë, Shqipëri e pa asnjë diskutim edhe më gjerë.

E informova kolegun lidhur me gjithçka kemi bërë për sekuestrimin e pasurive dhe aseteve kriminale. Ndonëse 100 milion Euro të sekuestruara në tre vite janë shumë më shumë krahasuar me të kaluarën, janë sërish një nxitje e mirë për të bërë akoma më shumë në të ardhmen, nëpërmjet hetimeve të përbashkëta mbi grupet kriminale që mund të kenë aktivitet në Francë apo një nga vendet e Bashkimit Europian por që pasurinë kriminale mund ta sjellin në Shqipëri.

E informova kolegun mbi domosdoshmërinë që kemi lidhur me Reformën në Drejtësi dhe Vetting-un si mënyra më e mirë për të pasur më shumë siguri dhe mbi të gjitha për të ndërtuar në të ardhmen një Shqipëri më të mirë e më të drejtë. Rastet kur sistemi gjyqësor dhe korrupsioni në sistemin gjyqësor kanë ndikuar që individë me precedentë të theksuar kriminalë në Francë por dhe Shqipëri të lirohen pavarësisht veprave penale që kanë konsumuar, nuk ka dëmtuar për fat të mirë bashkëpunimin tonë. Por sigurisht rithekson dhe njëherë domosdoshmërinë që kemi për të vënë në pikën e parë në axhendën tonë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha Vetting-un e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ministri Bruno le Roux: Me 28 Mars marrëveshje e re me Shqipërinë në luftën kundër krimit

Vizita ime në Shqipëri është në kuadrin e forcimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Marrëdhënie të cilat në datën 28 mars do të forcohen akoma më tepër me rastin e nënshkrimit në Paris nga dy kryeministrat e vendeve tona në kuadër të strategjisë së partneritetit të bashkëpunimit.

Prandaj ne vendosëm që të kemi lidhje akoma më intensive, operative mes dy Policive tona. Përsa i përket kriminalitetit të organizojmë së bashku grupe hetimore, në fusha të luftës kundër krimit të organizuar ashtu dhe trafikut të drogës.

Gjithashtu ne duam të forcojmë luftën kundër rrjeteve të personave, të cilët në Francë, në Europë apo në Shqipëri shfrytëzojnë territorin, lëvizin nga njëri vend në tjetrin për të vjedhur apo për të hyrë në banesat e qytetarëve.

Ky bashkëpunim ekziston tashmë por ne kemi dëshirë ta thellojmë akoma më tepër, sepse të dyja palët jemi shumë të interesuara në çrrënjosjen e këtyre fenomeneve siç janë: krimi i organizuar, pastrimi i parave apo trafiku i drogës.

 “Luftë kundër emigrimit të paligjshëm, mirëpresim studentët dhe artistët shqiptarë” 

Në takimin e mëpasshëm që do të kemi gjatë ditës së sotme, do kemi rastin të flasim edhe për çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin mes dy vendeve tona. Këtu dua të theksoj pak: Franca është një vend që pret dhe di të presë njerëzit. Por ajo pret ata që vijnë me kushte të rregullta. Pra mirë se vini për të gjithë studentët shqiptarë, për artistët shqiptarë. Të gjithë atyre që duan të vizitojnë vendin tonë.

Ne së bashku duhet të intensifikojmë të gjitha politikat e  luftës kundër emigrimit të paligjshëm. Dhe këtu kam rastin të falënderoj ministrin për bashkëpunimin që kemi tashmë së bashku. Dua të theksoj se ky bashkëpunim të riintesifikohet.     

Pata rastin nën shoqërinë e ministrit të vizitoj gjithë sallën operative ku është instaluar një teknologji shumë e lartë. Natyrisht Shqipëria ka shumë gjëra për të mësuar nga Franca por sot pashë që edhe ne ndoshta kemi gjëra për të mësuar nga mënyra se si ju punoni

./tvklan.al