Shqipëria dhe Maqedonia do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët të qeverive respektive. Për këtë është rënë dakort mes Kryeministri Rama dhe atij maqedonas Zaev, gjatë një takimi që zhvilluan gjatë Samitit të Triestes pak ditë më parë.

Ndërsa zyrtarizimi i lajmit u bë gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Shkupit, Nikola Dimitrov. Ende nuk ka një datë për këtë mbledhje të përbashkët të qeverive Shqipëri-Maqedoni, por pritet që ajo të mbahet në vjeshtë.

Gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar, ministri maqedonas i Punëve të Jashtme u pyet edhe për vonesën në zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Dimitrov u prit në një takim edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili e vlerësoi vizitën në Tiranë të kryediplomatit maqedonas si shpje të vullnetit të Qeverisë të re të Shkupit për të zhvilluar më tej marrëdhëniet.

Presidenti Meta përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re të Maqedonisë për vijimin e reformave të rëndësishme demokratike dhe angazhimin e saj për stabilitetin politik e përmirësimin e klimës së bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërqytetar.

Duke vlerësuar rolin e faktorit shqiptar për stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë, Kreu i Shtetit përshëndeti vullnetin qeverisë së Shkupit për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve” në mënyrë të vecantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit, bëri të ditur Presidenca përmes një njoftimi për shtyp./ABC News