Kombëtarja Shqiptare fitoi me Liechtenstein me rezultatin 2-0, me gola të Jahmir Hykës dhe Bekim Balajt. Në minutën e 11, një aksion me disa pasime finalizohet nga Jahmir Hyka, që pavarësisht se nuk është i gjatë, goditi me kokë topin, që portieri i skuadrës vendase fillimisht e ndaloi, e më pas e shtyu në rrjetë në mënyrë të pavullnetshme.

Për FIFA-n ky ishte një autogol i portierit.

Minutat e mbetura të pjesës së parë kaluan me disa aksione të Shqipërisë të papërfunduara për mungesë të aftësisë së sulmuesve, por edhe prej rrjeshtimit të ngjeshur të Liechtenstein.

Deri në mesin e pjesës së dytë u dëgjua e njëjta muzikë. Por përpjekjet e Kombëtares Shqiptare u shpërblyen në minutën e 71, me golin e dytë, që ka si autor Balajn, i cili ktheu në gol krosin e Elseid Hysajt.

Fitorja do t”i japë më shumë optimizëm ekipit të Gianni De Biasit, që do të përballet me Spanjën ditën e diel më 9 Tetor, ndeshje e vështirë, ku Shqipëria do të ketë si objektiv të ruajë vendin e parë në grupin G.

Tv Klan