Kombëtarja ka arritur një fitore të madhe me Armeninë, një fitore që e afron me ëndrrën Euro 2016.

Një ndeshje e madhe e Kuqezinjve që kanë triumfuar me përmbysje me rezultatin 2 – 1 në Elbasan Arena përballë mijëra tifozëve që e përkrahën gjatë të gjithë kohës.

Loja nisi keq për ekipin e drejtuar nga tashmë shqiptari Gianni De Biasi. Një gabim në mbrojte i dha mundësinë Armenisë të kalojë në avantazh.

Goditja e Movsisyan u devijua nga Mavraj duke shkuar më pas në portë. Një goditje e fortë, por kuqezinjtë nuk u dorëzuan duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare ku Cikalleshi pati rastet më të mira.

Pjesa e dytë ka nisur me ndryshime pasi, De Biasi ka futur në lojë Lenjanin e Gashi, në vend të Abrashit e Memushajt. Loja e Shqipërisë është bërë më e shpejtë dhe rastet janë shtuar.

Në mesin e pjesës së dytë hyn në lojë edhe Salihi dhe në minutën e 70’ armenët kanë mbetur me 10 futbollistë për shkak kartonësh.

Vrrulli i Kuqezinjve nuk është ndalur dhe Mavraj ka barazuar rezultatin në të 77’.

Të gjithë kërkonin fitoren dhe goli i Gashit ngriti më shumë se 12 mijë tifozë në këmbë.

Me këtë fitore të jashtëzakonshme Shqipëria mban larg rivalët direkt Armeninë dhe Serbinë.

Tv Klan