Ndotja në Shqipëri merr afro 1 mijë jetë njerëzish për 1 milion banorë.  

Ky është rezultati i një studimi dy vjeçar të revistës prestigjize mjekësore “The Lancet”. Problem më i madh global sipas studimit është ndotja e ajrit dhe ujit, por për vendet ish komuniste, përfshirë Shqipërinë, problem i madh është edhe ndotja për shkak të kontaminimit nga fabrikat e dikurshme të kimikateve, por edhe për shkak të armatimeve të përhapura gjerësisht në territor ndër vite.

Në Shqipëri si zona më problematike përmenden, Tirana si qytet që vuan nga probleme kronike të ajrit për shkak të karburanteve me cilësi të dobët dhe ndërtimit, Elbasani i cili për shkak të kompleksit metalurgjik vuan nga ndotja e tokës prej metaleve të rënda deri në një rreze prej 20 kilometrash. Por nivel të lartë ndotje nga mërkuri dhe arseniku kanë edhe qytete si Durrësi, Fieri, Vlora, Laçi kryesisht për shkak të ish-uzinave kimike.

Në mbarë botën, ndotja ka qenë përgjegjëse për 9 milion vdekje në vitin 2015.  

Shifrat më të larta vijnë nga vendet me të ardhura të ulëta si Bangladeshi dhe Somalia, ndërsa Brunei dhe Suedia janë vendet më pak të prekura.

Ndotja e ajrit ka ndikimin më të madh, duke shkaktuar 2/3 të vdekjeve. Dëmi ekonomik që sjell ndotja përllogaritet të jetë afro 4.6 trilion dollarë.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: R. Salianji