Shqiptarët vazhdojnë të jenë në krye të listës së azilkërkuesve në vendet e BE-së, duke rivalizuar edhe me vendet diktatoriale të Afrikës. Eurodeputetët e konsiderojnë të pajustifikuar këtë fluks dhe deklarojnë se në këto kushte nuk ekziston besimi i mjaftueshëm për t’i hapur derën e anëtarësimit.  

Philippe Lamberts , Eurodeputet , Belgjikë

Në Francë, Shqipëria zë vendin e parë si shtet i origjinës me më shumë azilkërkues gjë që në një farë mënyre na sjell një sinjal këtu në Bruksel seç po ndodh në vendin tuaj. Nga ana tjetër nuk mund të krahasojmë Shqipërinë me Sudanin. Le të jemi seriozë, në Sudan kemi një diktaturë që masakron qytetarët. Nuk mund të themi që kjo ndodh në Shqipëri. Nuk jemi të kënaqur me luftën ndaj korrupsionit dhe tregtinë e drogës në Shqipëri, por jeta e shqiptarëve nuk është kaq e rrezikuar sa e sudanezëve.

Këto janë fjalët e eurodeputetit belg Philippe Lamberts, teksa mundohet ta konsiderojë të pakuptimtë fluksin e madh të azilkërkuesve shqiptarë në Francë, në konkurrencë me azilkërkuesit sudanezë. Ndërsa këto janë pamjet e Sudanit, këtij shteti diktatorial në Afrikën qendrore buzë Detit të Kuq.

Kur bëhet fjalë për Shqipërinë ne kemi ende problem me kriminalitetin, funksionimin e shtetit ligjor, korrupsionin. Kur u ofron vendeve të tilla të jenë pjesë e tregut të përbashkët duhet një minimum i mirë funksionimit të shtetit. Në këtë moment nuk ekziston besim i mjaftueshëm në mënyrë që ne të themi ata mund të hyjnë në familjen evropiane.

Por Lamberts, deklaron se kjo nuk nënkupton se Shqipërisë i duhen kthyer krahët edhe për një çerekshekulli sërish, por BE duhet të vazhdojë  të rrisë presionin ndaj Tiranës për ta detyruar të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe të punojë për zhvillimin ekonomik, si mundësia më e mirë për të frenuar valën e emigrantëve.

Burimi Klan Plus

Gazetar: Vladimir Lame