Shqipëria mori një fitore me vlera në Lihtenshtejn që e ngjiti në vendin e parë pas dy takimeve, duke qenë i vetmi ekip me pikë të plota në grup. Rezultati 2 – 0 nuk u arrit shumë lehtë edhe nga mënyra e lojës së kundërshtarit, megjithatë protagonistët e sfidës janë të kënaqur.

Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares: E thashë që më mjaftonte edhe fitorja 1 – 0. Këtu rezultati ishte i vështirë ashtu siç i ndodhi Spanjës, por mund të kishim shënuar edhe më shumë, por u tregua i zoti edhe portieri i tyre.

Jahmir Hyka, futbollist i Kombëtares: Nuk ishte një ndeshje e lehtë, pasi Lihtenshtejni ishte i mbyllur në mbrojtje dhe ishte e vështirë, por jam i lumtur me fitoren.

Vëmendja tani është te Spanja, që do të jetë prova e zjarrit për Kombëtaren, por për Gianni De Biasi llogaritë bëhen në fund.

Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares: Sa i përket vendit të parë në grup para Spanjës e Italisë, ndihem si përpara ndeshjes dhe jam i kënaqur për faktin që jemi të parët, sepse nuk ka ndodhur shpesh herë që Shqipëria të jetë e para në eliminatore, por nga anët e mia thuhet që të vdekurit numërohen në fund të betejës.

Mërgim Mavraj, futbollist i Kombëtares: Kemi cilësitë tona dhe duhet të jemi të fokusuar, por na duhet edhe pak fat me këto skuadra, pasi kanë lojtarë të mirë.

Trajneri De Biasi la disa titullarë pushim për takimin me ekipin më të fortë në grup. Taulant Xhaka dhe Ansi Agolli e ndoqën sfidën nga stoli, ndërsa Amir Abrashi luajti vetëm një pjesë. Në takimin me Lihtenshtejnin debutoi Azdren Llullaku./ TV KLAN