AKU ka nisur një hetim administrativ për të nxjerrë në pah vendin përgjegjës për ngarkesën e fundit me 53 tonë mish pule, gjedhi dhe derri që u kap një ditë më parë. Aktualisht çdo ngarkesë me mish që ka si vend origjine Brazilin kontrollohet. Në një intervistë për Televizionin Klan, Zv/Ministrja e Bujqësisë, Mira Gjeçi sqaron se kërkesa për të inspektuar këtë produkt ka ardhur vetë nga autoritetet braziliane.

Vetë ky shtet është i ndërgjegjshëm që ka probleme në zinxhirin e prodhimit të mishit, e se një pjesë e tij mund të jetë i kontaminuar, prandaj u kërkon këtë procedurë vendeve pritëse.

Megjithatë një pikëpyetje e madhe shtrohet mbi atë që ne kemi konsumuar një vit më parë. Nga 226 kontrolle është kapur vetëm 1 ngarkesë, ndërsa për 5 muaj janë kryer 178 inspektime dhe janë kthyer 5 ngarkesa në sasinë 130 tonë me mish të kontaminuar e me salmonelë.

Detyrimi për të gjithë tregtarët është që të shënojnë vendin e origjinës së mishit mbi etiketë.

Në total këtë vit janë kapur me mish të kontaminuar 5 kompani importuese. Brazili zë 20% të tregut të importit të mishit në Shqipëri, ndërsa vendi ynë importon çdo vit 10 mijë tonë nga ky shtet.

Tv Klan