Hapja e një linje të re fluturimesh direkte mes Tiranës e Dubait, si një mundësi më e mirë ndërlidhjeje mes dy vendeve, ishte një nga çështjet e diskutuara në Dubai mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre të Emirateve të Bashkuara.

Vendi ynë përfaqësohet për herë të parë në Forumin Vjetor të Investimeve në Dubai nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Përfaqësuesit e kësaj agjencie po zhvillojnë një sërë takimesh me zyrtarë të niveleve të larta dhe me investitorë të rëndësishëm, duke shkëmbyer kontakte dhe prezantuar mundësitë që Shqipëria ofron për investime.

Drejtori ekzekutiv i AIDA-s, Genti Beqiri zhvilloi një takim me Nënsekretarin e Ministrisë së Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla A. Al Saleh. Përveç linjës së re të fluturimeve direkte mes Tiranës e Dubait, në takim u diskutua edhe mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

Beqiri e njohu zyrtarin me nismën e qeverisë shqiptare për rritjen e investimeve në formën e partneriteteve publike dhe private, të prezantuara në projektin “1 Miliard Dollarë”.

Në këtë Forum marrin pjesë 140 shtete, mbi 100 zyrtarë të niveleve më të larta dhe 15,000 investitorët më të mëdhenj në nivel ndërkombëtar. Ky event synon nxitjen e investimeve në botë, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve./tvklan.al