Shqipëria nuk ka radarë që mund të identifikojë mjetet fluturues në territorin e saj, si rasti i avionit që ngeli në grykëderdhjen e Ishmit.

Ish-drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli thotë se mungesa e një radari primar bën që avionë si ai Xhorxho Riformatos, që ra në Divjake apo i Guido Guidit që ngeci në Ishëm, të mos kapen.

Ndërsa radarët sekondarë me të cilat vepron sot Aviacioni Civil, e kanë të pamundur t’i diktojnë këto mjete kur fikin transponderin, si në rastin e Guidit.

Sipas Minarollit, i takon ushtrisë të vendosë radarin primar. Ky radar ka ekzistuar në Aviacionin Civil, por ish kreu i këtij institucioni thotë se ai është amortizuar.

Minarolli thotë se mungesa e radarëve rrezikon edhe ndërtesa të sigurisë se lartë. Sipas tij, çdo avion i vogël që fluturon në hapësirën shqiptare, duhet të hyjë dhe të dalë nga aeroporti i Rinasit.

Madje edhe nëse ai paraqet defekt, duhet të kërkojë ndihmën aeroportit të Rinasit./ TV KLAN