Pavarësisht të gjitha bisedave të shtruara në Bruksel për ndalimin e zgjerimit të BE –së, viktimë e Brexit, rritjes së nacionalizmit dhe “lodhjes nga zgjerimi”, është e rëndësishme që të theksohet se në fakt, zgjerimi nuk ka ndalur aspak. Përkundrazi, sa i përket aplikimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky është momenti i tyre dhe kjo mund të vijë në rritje.

Gjithçka mund të bëhet e qartë shumë shpejt. Pas zgjedhjeve që do të mbahen këtë muaj në Shqipëri dhe ndoshta gjatë samitit vjetor të Ballkanit Perëndimor, i planifikuar për t’u mbajtur në Korrik në Trieste, thuajse me siguri do të ketë një kërkesë për nisjen e negociatave këtë vit me Tiranën zyrtare.

Nuk është e pashmangshme, por me gjasë përgjigjia e Brukselit do të jetë pozitive, të paktën sa i përket negociatave. Këtë e gjykoj bazuar në burimet që Brukseli ka përkushtuar për t’i mbajtur të gjashta vendet kandidate të Ballkanit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit dhe ndihmën për t’iu gjendur pranë sa herë përballen me vështirësi, siç ka bërë sëfundmi në Maqedoni dhe Shqipëri.

Rasti i Shqipërisë është domethënës. Për tre muaj, Partia Demokratike konservatore zuri një çadër të madhe jashtë zyrës së Kryeministrit në Tiranë, duke bojkotuar parlamentin, duke akuzuar qeverinë dhe duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, të Partisë Socialiste.

Nuk u qartësua kurrë se përse çfarë u tha në gjuhë bombastike brenda çadrës, nuk mund të thuhej në parlament. Por ishte tepër e qartë se, duke lënë vende e tyre vakante në parlament, demokratët po bllokonin një reformë kritike për sistemin gjyqësor, reformën e fundit të madhe institucionale e nevojshme përpara nisjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Bojkoti i parlamentit çoi në hapin tjetër logjik, megjithëse tërësisht të paarsyeshëm, bojkotin e zgjedhjeve parlamentare. Opozita u shfaq e vendosur për të privuar legjitimitetin e qeverisë së ardhshme, duke vendosur një tjetër fazë – për çfarë ekzaktësisht? Në fjalimet e përsëritura përpara mbështetësve të tij, kreu i PD shpalli “Republikën e Re”, duke sugjeruar synime revolucionare.

Brukseli u hodh në veprim. Shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini dhe negociatori udhëheqës i zgjerimit, Christian Danielsson udhëhoqën delegacionet për të biseduar me liderët politikë. Në fund u arrit një zgjidhje. Përballë stuhisë së kërkesave të Partisë Demokratike, përfshirë pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në qeveri, përmes ministrave të caktuar nga PD, Rama kishte vetëm një kërkesë kyçe. Ai këmbënguli në vazhdimin e reformës së gjyqësorit, përpara zgjedhjeve. Pa këtë, tha ai, bisedimet me BE nuk mund të vijonin. Demokratët u zbrapsën.

Me fjalë të tjera, Rama ishte i përgatitur të vendoste gjithçka në tavolinë, përveç rrugës drejt BE. Është masë e qasjes së tij strategjike, të cilën ai e mori përsipër, duke mos pranuar ndarjen e përkohëshme të pushtetit, si shkelës i marrëveshjeve.

Rama po shfaqet si një prej liderëve më të sofistikuar në Europë. Një artist i mirënjohur ndërkombëtarisht, ai është gjithashtu një ish – basketbollist profesionist. Njohës i shumë gjuhëve, ai jetoi për disa kohë në Francë, ku dhe mori vlerësimet e para si artist. Në dallim nga shumë politikanë të tjerë, Rama nuk ka slogane.

Ideologjikisht, ai është i qendrës së majtë, një social demokrat “i llojit të tretë”, si Tony Blair i Britanisë, e me gjasë si Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron. Një pro europian dhe atlantist, ai ka qenë i qartë me paralajmërimet për ndërhyrjet ruse në rajonin e tij e më gjerë.

Rama e sheh anëtarësimin në BE si çelësin e zgjidhjes së paqëndrueshmërisë dhe mosmarrëveshjeve në Ballkan. Ai i ka kërkuar Brukselit që të përshpejtojë procesin dhe ta bëjë pjesë të tij rajonin sa më parë të jetë e mundur, pjesërisht për të penguar lëvizjet aktuale të Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj.

Si vëzhgues prej kohësh i Ballkanit dhe ish – përfaqësues i posaçëm i OKB – së në Kosovën fqinje, Brukseli ka simpati të fortë për këtë qasje, pavarësisht ngurimit për ta shfaqur hapur.

Hapja formale e negociatave nuk do të thotë një konkluzion i shpejtë e i pashmangshëm, këtë e dëshmon situata me Turqinë. Por BE –ja e ka të nevojshme që të mbajë shpresat gjallë mes vendeve kandidate, nëse dëshiron që të vazhdojë të mbajë ndikimin e saj.

Dhe vetëm në këtë moment, me marrëdhëniet miqësore me liderët në Shqipëri, Serbi e Maqedoni dhe Zoran Zaev të sapo emëruar Kryeministër, ekziston një bllok reformash që do ta mundësojnë këtë rrugë.

Burimi: Financial Times/Bernard Kouchner

Shqipëroi: ek/tvklan.al

*

Bernard Kouchner ka mbajtur detyrën e ish – Ministrit të Jashtëm francez dhe çështjeve europiane. Ai është bashkëthemelues i Médecins Sans Frontières dhe themelues i Médecins du Monde.