Kombëtarja mbërriti në atdhe, aty ku për t’i pritur kishte dalë kryeministri Edi Rama. Një ceremoni zyrtare në aeroportin “Nënë Tereza”, që ishte etapa e parë e nderimeve të kuqezinjve, që lanë gjurmë në debutimin e tyre në finalet e Europianit.

Të shumtë ishin njerëzit të cilët dolën në rrugë për të përshëndetur lojtarët dhe stafin teknik, të cilët parakaluan me një autobus të hapur, i veshur me flamurin kombëtar. Në Bashkinë e Tiranës kapitenit Lorik Canës iu dorëzua “Çelësi i Qytetit”, në shenjë nderimi për paraqitjen dhe shembullin e dhënë.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës: Arritët fitoren kryesore për të na treguar se kur jemi bashkë jemi të pamposhtur dhe mund të fitojmë çdo betejë. Ne duam t’ju japim çelësin e Tiranës tani që jeni kthyer në shtëpi.

Gianni De Biasi, Trajneri i Kombëtares: Besoj se shembulli i këtyre djemve është një shembull për shumë të rinj që duan të besojnë për një të ardhme ndryshe.

Ekipi u drejtua në Ministrinë e Jashtme ku aplikuan për pasaportat diplomatike, pasi sipas ministrit të jashtëm Bushati ata janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë, me atë që treguan në Francë.

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm:  Ju arritët të bënit atë që politika e ka ende tabu, përfaqësimin e denjë të gjithë shqiptarëve duke u shndërruar në kombëtaren e të gjithë shqiptarëve.

Në kryeministri lojtarët ishin në të njëjtën sallë me figura të së kaluarës së futbollit shqiptar, të cilët e ëndërruan këtë ditë. Ata u përshëndetën nga kryeministri Edi Rama. Ai vlerësoi arritjen e kuqezinjve, paraqitjen e tyre dhe të tifozerisë shqiptare.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Në radhë të parë faleminderit juve, se pa shembullin frymëzues tuajin në fushë lojtari ynë i 12 nuk do të shkëlqente kaq mrekullisht. Ajo që keni dhënë shkon shumë përtej futbollit. Asnjë pishman djema pse u kthyet për një gol diferencë, pasi e bëtë kombin dhe të gjithë popullin krenar.

Krenar është edhe trajneri Gianni De Biasi, për atë që arritën kuqezinjtë. Ai bëri edhe një premtim.

Gianni De Biasi, Trajner i Kombëtares:  Shqipëaria për mua është një titull nderi, gati e njoh më mirë himnin shqiptar se atë italian. Ti Edi flet shpesh për rilindje, po me çfarë bëmë në Francë kemi mundësi të bëjmë një rilindje të vërtetë. Prandaj do të vazhdoj të rri akoma këtu për të bërë mrekullinë.

Falënderime për këtë aventurë kishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka:

Një falënderim shkon për dirigjentin e Kombëtares, zotin De Biasi. Çuna ju falenderoj nga thellësia e zemrës, që na bëtë pjesë e kësaj aventure të bukur. Një falënderim për të gjithë tifozët e ekipit. 

Ekipi dhe lojtarët me pas iu drejtuan sheshit Nënë Tereza për të festuar me tifozët, ata të cilët i përkrahën nga larg./TV KLAN