Policia italiane ka bërë të mundur natën e shkuar bllokimin e një kamioni me 2.3 ton marijuanë në komunën e Medoles.

Sipas raportimeve të policisë kjo ishte hera e tretë që kamioni përshkonte rrugën Tiranë-Ancona-Mantova, që mendohej se ishte kthyer në një kanal ndërkombëtar për shpërndarjen e drogës, ku furnizohej jo vetëm Mantova por edhe provincat përreth.

Ky kanal është mbyllur tashmë nga policia italiane.

Në pyetje për ngarkesën e drogës u morën shqiptarët Izmet Kullolli, 49 vjeç dhe Ervis Hysa, 40 vjeç.

Marrja në pyetje zgjati 3 orë dhe 2 shqiptarët pranuan të përgjigjeshin ndërkohë që i dyshuari i tretë Walid Hamraoui, 40-vjeç, kombësia e të cilit nuk është bërë e ditur, shfrytëzoi të drejtën të qëndronte në heshtje.

“E kam blerë kamionin disa vite më parë në Medole. Brenda gjendeshin materiale ndërtimi të cilat i shisja edhe në Shqipëri sepse kisha bërë marrëveshje me disa prej kontakteve të mia. Tashmë prisja disa materiale të tjera që do i shisja për 9 mijë euro”, u shpreh Kullolli.

Nën materialet e ndërtimit policia e Anconës bëri të mundur sekuestrimin e marijuanës./tvklan.al