Dy organizata kriminale mafioze që vepronin në qendër të Athinës janë shkatërruar nga policia greke gjatë një operacioni masiv. Në total janë arrestuar 19 persona, 16 prej të cilëve grekë, 2 shqiptarë identiteti i të cilëve nuk dihet dhe 1 ukrainas.

Në mesin e grekëve të arrestuar, dy prej tyre janë policë. Sipas autoriteteve, dy organizatat akuzohen për grabitje, gjobëvënie ndaj bizneseve me pretekstin se do t’i mbrojnë, armëmbajtje pa leje e pastrim parash. Hetimet kanë zbuluar të paktën 60 raste të zhvatjeve dhe grabitjeve në lokale nate dhe bare. Dy organizatat ofronin gjithashtu shërbime sigurie për persona VIP dhe lojtarë të futbollit.

Mediat greke i kanë etiketuar “Kamorra Greke” këto organizata mafioze. Në pranga kanë rënë edhe udhëheqësit e dy bandave. Organizata e parë drejtohej nga një 59-vjeçar me nofkën “I gjati”. Kurse organizata e dytë drejtohej nga një 51-vjeçar me nofkën “flokët” dhe “nënkryetari” ishte vëllai i tij.

Anëtarët e dy organizatave kishin marrë në mbrojtje dyqanet në zonat kryesore të Athinës, pasi ato të paguanin “haraçin”, që në fakt ishte gjobëvënie. Pronarët e dyqaneve paguanin nga 200 Euro deri në 2500 Euro në muaj për mbrojtje. Përveç këtyre rasteve, anëtarët e bandave merrnin përsipër të zgjidhnin mosmarrëveshje mes dy palëve, duke u angazhuar si palë e tretë.

Gjatë operacionit për arrestimin e tyre, policia sekuestroi pistoleta të ndryshme, 179 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 3 çifte, jelek antiplumb, shkopinj bejsbolli, doza kokaine, 3 makina, 26 celularë, 3 mijë Euro, 537 Dollarë si dhe blloqe me shënime që mbanin anëtarët e organizatave për pagesat mujore të bizneseve.

 /tvklan.al