Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten vendi i ëndrrave për mijëra shqiptarë, aq sa në dekadën e fundit shënojnë rekord në Europë për marrjen e Green Card, në raport me popullsinë.

77,618 persona kanë marrë leje të përhershme banimi që nga viti 1999.

Instituti i Politikave të Migrimit në SHBA ka përditësuar të dhënat për fluksin e Green Card për të gjithë vendet e botës, nga periudha 1999-2015.

Shqipëria shënon numrin më i lartë në vitin 2006, me 7,916 persona dhe më të ulët në 2003-n, me 3,362 persona.

Ndërkohë nga viti në vit, Lotaria Amerikane, e cila mundëson të fillosh një jetë të re në kontinentin e largët, tërheq shumë më tepër persona.

Të dhënat tregojnë se pas vitit 2013 numri i shqiptarëve që kanë marrë Green Card është rritur dhe dy vjet më pas ka shkuar 4,653 në 2015-n.

Instituti i Politikave të Migrimit sqaron se të dhënat përfshijnë personat që kanë marrë leje ligjore të përhershme të banimit në vitin e dhënë fiskal, pavarësisht nga data aktuale e mbërritjes së tyre, ndërsa revista ekonomike “Monitor”, e cila ka analizuar të dhënat  nga 2005-2015 për të gjitha shtetet e Europës ka dalë në përfudimin se rreth rreth 54 mijë shqiptarë kanë marrë Green Card në një dekadë.

Vendi ynë renditet në vend të gjashtë, pas Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Federatës Ruse, Polonisë dhe Gjermanisë.

Ndërkohë që shtetet e sipërpërmendura kanë një popullsi shumë herë më të lartë sesa të Shqipërisë, vendi ynë mban rekord në numrin e Green Card të përfituara në dekadën e fundit, në raport me madhësinë relative.

Përfituesit shqiptarë të lejeve të përhershme të qëndrimit në shtetin e ëndrrave në gjithë dekadën e fundit sipas “Monitor” përbënin 1.85% të totalit të popullsisë, që kishte Shqipëria në 2015-n.

Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa e vendit të dytë që renditen pas nesh, Bosnje Hercegovinës, me 0.7% e cila ka pasur një fluks të lartë të marrjes së Green Card deri në vitin 2005, kur shteti boshnjak po merrte veten nga pasojat e luftës shkatërrimtare, më pas kërkesa ka rënë, për të arritur në vetëm 860 në 2015-n.

Në rajon Shqipëria kryeson dukshëm për numrin e Green Card që merren çdo vit. Në 2015-n maqedonasit morën 1060 lekë, malazezët 251, serbët 866, shtetasit nga Kosova 814.

/abcnews.al