Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë para shumë kohësh që Shqipëria është një vend i sigurt dhe si i tillë, kërkesat për azil që bëhen në vendet anëtare të BE nga qytetarët shqiptarë, do të refuzohen. Por, shqiptarët nuk duken shumë të impresionuar nga kjo gjë, sepse ende vazhdojnë të aplikojnë për azil në vendet anëtare të BE.

Sipas “Independent Balkan News Agency”, ky fenomen është konfirmuar edhe nga të dhënat më të fundit të lëshuara nga Instituti Europian i Statistikave (EUROSTAT), sipas të cilave shtetasit shqiptarë janë të parët në mesin e vendeve të tjera të kontinentit të vjetër për sa i përket numrit të azilkërkuesve. Pra, sipas shifrave të dhëna nga EUROSTAT, numri i përgjithshëm i shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për azil për herë të parë në vendet anëtarë është 22.000 vetëm gjatë vitit 2017.

Kjo është një shifër në rënie nëse krahasohet me 2016, kur ky numër ishte 29.000. Megjithatë, kjo tregon se tendenca e kërkimit të azilit në vendet anëtare të BE-së vazhdon të jetë e pranishme. Ndërkohë, bazuar në shifrat e ofruara nga EUROSTAT, Shqipëria pozicionohet së bashku me vendet që po kalojnë konflikte serioze, madje edhe armatime, duke i detyruar shtetasit shqiptarë të ndërmarrin një hap të tillë. Me fjalë të tjera, duke kërkuar azil në vendet anëtare të BE-së, shqiptarët e përfshijnë veten në të njëjtën kategori njerëzish që vijnë nga zona të luftës si sirianët, afganët etj: edhe pse ata jetojnë brenda Evropës dhe pretendojnë t’i bashkohen familjes europiane së shpejti.

Sipas shifrave, nga 650.000 njerëz që kërkuan azil vitin e kaluar në vendet anëtare të BE, sirianët ishin në krye të listës me 102.400 aplikantë që kërkuan për herë të parë, të ndjekur nga irakianë me 47.500 dhe afganë me 43.600. Pastaj vijnë shqiptarët që përbëjnë pothuajse gjysmën e numrit të afganëve.

Europa po zbaton masa më të forta, kërkesat për azil po bien

Masat më të rrepta që vendet anëtare të Bashkimit Evropian po zbatojnë në këtë drejtim, kanë çuar në zvogëlimin e numrit të azilkërkuesve nga një vit në tjetrin. Pra, sipas EUROSTAT, në vitin 2016, numri i përgjithshëm i njerëzve që kërkonin azil brenda kufijve të BE ishte 1.206.500. Kjo shifër është dy herë më e lartë se shifra e vitit të kaluar, duke treguar se tendenca e kërkesave për azil po bie. Por kjo nuk do të thotë se po ndalon, aq më pak për shqiptarët, sepse vitin e kaluar pothuajse 1% e popullsisë së përgjithshme të vendit vendosën të ndërmarrin një iniciativë të tillë.

Në Francë, shqiptarët në krye të listës së azilkërkuesve

Ka një vend në Evropë ku shqiptarët janë në krye të listës së azilkërkuesve. Ky vend është Franca. Kështu, sipas shifrave, vitin e kaluar, numri i shqiptarëve që kërkuan azil në Francë ishte 11 mijë e 395. Kjo është një shifër që është pothuajse gjysma e totalit të shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të BE, përkatësisht 22.000. Ndërkohë, sa i përket numrit të përgjithshëm të kërkesave për azil të marra në BE, vendi i parë me më shumë aplikime është Gjermania. Gjatë vitit 2017, numri i njerëzve që kërkuan azil në Gjermani ishte 198.300 ose 31% e numrit të përgjithshëm të aplikantëve.

INSTAT: Ndryshim i madh mes shqiptarëve që po largohen dhe atyre që kthehen

Ndërkohë, agjencia e vendit për statistika, INSTAT, ka konfirmuar faktin se shumë shqiptarë vendosin të largohen nga vendi dhe të kërkojnë azil në vendet anëtare të BE. Sipas këtij institucioni, ndryshimi midis atyre që largohen dhe atyre që janë riatdhesuar, është i madh.

INSTAT thotë se ky ndryshim u bë edhe më i madh në vitin 2015, kur një numër i madh njerëzish largoheshin nga vendi, kryesisht në kërkim të azilit ekonomik. Largimet ranë disi  në 2016, ndërkohë që diferenca midis hyrjeve dhe daljeve ishte 259 mijë njerëz, por në vitin 2017, ajo u rrit përsëri në 373 mijë njerëz. E gjithë kjo tregon një prirje ekzistuese për shtetasit shqiptarë që largohen nga vendi për të kërkuar azil./tvklan.al