Shqiptari Arsen Rrogami i cili prodhonte kanabis në apartamentin e tij në Middlesbrough të cilin e kishte kthyer në një serë me vlerë 336,000 £, ka përfunduar pas hekurave.

 Në banesën e 27-vjeçarit u gjetën mbi 235 bimë kanabis të mbjella në 5 ambiente të shtëpisë, duke përfshirë dhomën e gjumit, papafingon dhe banjën.

Oficerët sekuestruan 460 £, telefona celularë të tipit iPhone dhe iPad.

 Rrogami, banues në Norcliffe, pranoi se prodhonte drogë të klasit B. Shqiptari nuk ka patur dosje penale të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar.

 Nicci Horton, avokatja mbrojtëse e Rrogamit tha se ai kishte vepruar në dëshpërim e sipër për të nxjerrë para për t’ia dërguar gruas, vëllait dhe prindërve të tij që jetonin së bashku.

“Ai e humbi punën për shkak të statusit të tij të emigrantit dhe u vu në kontakt me një burrë nga Pakistani për të mirëmbajtur serën e tij, që të mund të përfitonte diçka. Besoj se e ka bërë këtë punë për jo më shumë se 2-3 javë. Ai s’do përdorte kurrë drogë dhe i vjen trup nga vetja për këtë akt. Ai do dëbohet automatikisht sepse është emigrant i paligjshëm”, shtoi Horton.

 “Ti ke qenë thjesht një kopshtar që kujdesej për bimët. Ato nuk janë të tuat dhe ti nuk merr përfitime të drejtëpërdrejta nga shitja e tyre. Kam frikë se keni vepruar kështu për ato arsye që përmendi dhe avokatja juaj”, deklaroi gjykatësi Peter Armstrong nga gjykata e Teesside Crown.

Ai e dënoi Rrogamin me 8 muaj burg, derisa të kryheshin procedurat e dëbimit nga Mbretëria e Bashkuar./tvklan.al