Shtëpia e Bardhë ka kritikuar ashpër vendimin e një gjykatësi federal për të bllokuar direktivën e Presidentit Trump për të pezulluar fondet federale për njësitë administrative që ofrojnë strehë për imigrantët e paligjshëm duke mos bashkëpunuar me agjentët federalë të imigracionit.

“San Francisko, e qytete të tjera që ndjekin atë shembull, po vënë në plan të parë interesin e elementëve kriminalë pa dokumente para sigurisë së qytetarëve të tyre. Ata zyrtarë të qeverisë lokale që hartuan këto politike kanë duart e përgjakura me gjakun e amerikanëve të vrarë,” thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë të publikuar të martën.

Kjo deklaratë u nxor disa orë pasi Gjykatësi i Distriktit William Orrick nxori një vendim të përkohëshëm që do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi gjyqësor mbi një urdhër ekzekutiv të Presidentit Trump. Urdhri ekzekutiv i 25 janarit ndal fondet federale për njësi administrative që ofrojnë strehë për immigrantët e paligjshëm. Gjykatësi tha se presidenti nuk mund të vërë kushte të reja mbi fondet e akorduara nga Kongresi.

“Fondet federale që nuk janë akorduar me kushte për zbatimin e ligjeve të imigracionit, nuk mund të vihen në pikëpyetje thjesht sepse një njësi administrative vendos të zbatojë një strategji për imigracionin që nuk i vjen për shtat presidentit,” tha gjykatësi Orrick.

Gjykatësi thekson se vendimi i tij nuk pengon Departamentin e Drejtësisë të zbatojë “kushtet ekzistuese për grantet federale”.

Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i gjykatësit është “një tjetër shembull i shtrirjes flagrante të autoritetit nga një gjykatës i pazgjedhur distrikti”.

Administrata Trump ka kundërshtuar vendime të mëparshme të gjykatësve federalë që pezullonin zbatimin e urdhrave ekzekutivë të presidentit për të pezulluar programin e refugjatëve dhe për të ndalur nxjerrjen e vizave të reja për vende me popullatë kryesisht myslimane. Muajin e ardhshëm një rast i lidhur me këto vendime do të dalë para një gjykate federale apeli.

“Kemi besim se do të fitojmë në Gjykatën e Lartë, ashtu siç do të fitojmë në përpjekjet tona të përligjshme për të vendosur kufizimet e nevojshme për të mos lejuar futjen e terroristëve në SHBA,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Deklarata është një përpjekje tjetër për ta prezantuar këtë konflikt si beteja mes “sundimit të ligjit dhe një realiteti pa ligj; mes amerikanëve që punojnë dhe atyre që duan të minojnë sigurinë dhe lirinë”.

San Francisco dhe komuna fqinje Santa Clara argumentojnë se urdhri ekzekutiv vë në rrezik miliarda dollarë fonde federale. Avokatët e Departamentit të Drejtësisë thanë se shuma nuk ishte aq e lartë dhe kishte të bënte vetëm me një numër të vogël grantesh.

Javën e kaluar. Prokurori i Përgjithshëm Jeff Session u dërgoi një kërkesë 10 njësive administrative ku i udhëzonte të paraqesin deri më 30 qershor një letër ku dëshmojnë se po respektojnë ligjin e imigracionit.

Pas një takimi të martën me disa kryetarë bashkie, zoti Sessions nxori një deklaratë ku thoshte se një njësi administrative është përgjigjur deri tani. “Do t’i analizojmë përgjigjet për të parë nëse janë përmbushur kushtet për grantet federale,” tha zoti Sessions në deklaratën e tij që u bë publike para se gjykatësi të nxirrte vendimin e tij./tvklan.al

Burimi: VOA