Çmimi i naftës në vend ka shënuar rritje këto ditë me afro 5 lekë për litër. Në një vëzhgim të bërë në pikat  e tregtimit në kryeqytet rezulton se një 1 litër naftë tregtohet për konsumatorët me afro 167 lekë, nga 162 lekë që shitej ditë më parë.

Të premten rritja është reflektuar pothuajse nga të gjitha shoqëritë.

Të kontaktuar nga Tv Klan, përfaqësues të shoqërive të hidrokarbureve, pranojnë ndryshimin e çmimit, duke e lidhur me disa faktorë.

Sipas tyre, ajo që ka ndikuar në rritjen me 5 lekë është rritja e çmimit të naftës në bursa. Nga 30 dollarë për fuçi që ishte më parë, tani një fuçi nafte në tregjet ndërkombëtare kushton afro 50 dollarë.

Tjetër faktor sipas tyre është shtrenjtimi i dollarit.

Ndërsa shkak kryesor mbetet tarifa e riliçencimit të karburanteve, e cila këtë vit është rritur nga qeveria dhe ka nisur të mblidhet. Nga 1 milion lekë që ishte një vit më parë, kjo tarifë për Bashkinë e Tiranës, tani është 5 milion lekë.

Ndërsa për rrethet, nga 200 mijë lekë, tarifa riliçencimit për karburantet është bërë 2 milionë lekë. Shoqata e hidrokarbureve ka bërë kërkesën për pezullim dhe shfuqizim të kësaj tarife, me argumentin se i çon në faliment këto biznese. Duke qenë se kjo gjykatë nuk mori vendim për pezullim, grosistët thonë se ishin të detyruar që të shtrenjtonin naftën.

Në çmimin që formon sot një litër naftë, sipas grosistëve, afro 110 lekë zënë taksat, ndërsa pjesa tjetër janë kosto e blerjes së naftës, transporti, fitimet dhe shpenzimet për paga punonjësish.

Tv Klan