Është ndarë nga jeta mëngjesin e së premtes mjeshtri i madh i valles shqiptare, Rexhep Çeliku. Ai humbi betejën me një sëmundje të rëndë, që i mori jetën në moshën 63-vjeçare.

Rexhep Çeliku ishte solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në vendin tonë. Gjatë një karriere për disa dekada ai realizoi një numër të madh shfaqjesh brenda dhe jashtë vendit, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me interpretimet e tij në skenë.

Rexhep Çeliku u shfaq për herë të fundit publikisht vetëm 4 ditë më parë, gjatë ceremonisë në Presidencë kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i akordoi Dekoratën “Nderi i Kombit” atij dhe valltares tjetër të njohur të këtij Ansambli, Lili Cingu.

Ai lindi më 19 korrik 1954 në Tiranë. Në 1976, ai u bë pjesë si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në repertorin e tij artistik Çeliku numëron rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Ai është nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin 

“për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin

“. 

/abcnews.al