ShullaziEmiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, do të thirren javën e ardhshme në Prokurorinë e krimeve të rënda, për t’u pyetur në lidhje me denoncimin e bërë nga deputetja e PD-së, Voltana Ademi.

Kjo e fundit para pak ditësh dorëzoi në organin e akuzës, denoncimin se 37 vjeçari i Shullazi ka kërcënuar me jetë kryetarin e opozites Lulzim Basha. Sipas saj, ndërsa po pinte kafe në një lokal të Tiranës, Emiljano Shullazi i ka dalë përpara dhe i ka thënë: Thuaji kryetarit tënd, të ketë kujdes dhe të mos dalë shpesh në verandën e shtëpisë.

Për partinë më të madhe të opozitës, ky ishte një kërcënim i hapur i personit që është i famshëm tashmë, për disa ngjarje dhe për shumë arreste në ngarkim të tij. Madje dje, kryetari i grupit parlamentar të PD – së Edi Paloka akuzoi direkt ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, si njeri i afërt i Emiljano Shullazit, duke e akuzuar atë se i ka krijuar lehtësira në aktivitetin e tij kriminal.

Ndërsa personi tjetër, që do t’i dërgohet fletë – thirrja për t’u paraqitur në prokurorinë e krimreve të rënda, Gimando Dani, shoku i ngushtë i Shullazit,  aktuaslisht është i shpallur në kërkim, pasi akuzohet për një plagosje pranë parkut të autobuzave në rrugën e Kavajës, një javë më parë.

Sipas prokurorisë së krimeve të rënda, këta dy persona do pyeten për të sqaruar pozicionin e tyre pikërisht për akuzën e rëndë të bërë nga deputetja demokrate Ademi.

Pikërisht, në varësi të kësaj seance pyetjesh dhe të përgjigjeve të tyre, do të merret edhe vendimi mbi fatin juridik të Shullazit dhe Danit.

Ç’ka do të thotë se të gjitha vendimet janë të mundshme. Denoncimi ndaj Shullazit dhe kërkesa për ta zbardhur sa më shpejt këtë ngjarje u bë edhe nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri, gjatë një ndërhyrje telefonike në emisionin Opinion këtë të enjte, ku i pranishëm në panel ishte edhe kryeprokurori i krimeve të rënda Eugen Beci.

Ndërkohë, vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk është shprehur publikisht për këtë ngjarje, por ka akuzuar policinë dhe institucionet shtetërore si të lidhura dhe të varura nga persona me precedente kriminale dhe të rrezikshëm.

Që prej të nesërmes së publikimit nga deputetja Ademi, për përballjen me Shullazin, janë marrë masa mbrojtëse ndaj z.Basha me efektivë shtesë të gardes së republikës.

Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, ishin personazhe të ngjarjeve zinxhir të disa javëve më parë në Tiranë. Ku fillimisht u vra një person dhe u plagosën dy miq të tyre dhe më pas u tha se u ishte bërë atentat edhe vetë atyre te mbikalimi i Kasharit. Për këtë ngjarje nuk ka akoma asnjë të dyshuar, por hetimet po ndiqen nga prokuroria e Tiranës.

Tv Klan